Lidhje

Dita e punës në Shtetet e Bashkuara


Sot amerikanët kremtojnë Ditën e Punës, një festë kombëtare që nderon kontributin e forcës punëtore në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, një anketë e kryer nga sindikatat tregon se shumica e punëtorëve amerikanë mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar.

Organizata më e madhe sindikaliste e Amerikës AFL-CIO, që është edhe një aleate tradicionale e Partisë Demokrate, thotë se anketa e saj tregon që punëtorët janë sot më të shqetësuar për vendet e punës se asnjëherë më parë.

Sipas anketës, 53 përqind e punëtorëve të pyetur thonë se të ardhurat e tyre nuk po rriten paralelisht me koston në rritje të kujdesit shëndetësor dhe të çmimeve të benzinës. 70 përqind e tyre përgjigjen se punëdhënësit nuk po u japin rritjen e duhur të pagës që ata të mund të përballojnë rritjen e kostos së jetesës, thotë John Sweeney president i AFL CIO-së: "Familjet punëtore janë në një krizë të thellë dhe në rritje dhe ato e dinë këtë, edhe nëse Uollstriti dhe Uashingtoni nuk e di. Një numër më i madh punëtorësh se sa gjatë ngadalësimit ekonomik të vitit 2001 thonë se të ardhurat e tyre po mbeten prapa kostos së jetesës."

Dhoma amerikane e Tregtisë, e cila përfaqëson punonjësit, nuk është aspak dakord me komentet e tij. "Të dhënat dhe informacioni që ne kemi janë pozitive. Kur shikojmë numrin e përgjithshëm të vendeve të punës, vemë re se ne e kemi tejkaluar pikun e periudhës para rënies ekonomike. Pra ne po e zgjerojmë përsëri tregun e punës, duke punësuar më shumë njerëz se sa në të kaluarën" thotë Randal Johnson, nën president i Dhomës amerikane të Tregtisë i cili shton se anketat për çështjet e punësimit janë relative në përfundimet që nxjerrin. "Përsa i përket anketës së sindikatës AFL CIO, sondazhet janë sondazhe. Të gjithë, përfshirë mua, duan që t’u rritet paga sepse ne të gjithë në një farë mënyre nuk jemi të kënaqur."

Zoti Johnson thotë se punëdhënësit kanë bërë shumë për t’i ndihmuar punonjësit e tyre: "174 milion amerikanë janë të mbuluar me sigurime shëndetësore të sektorit privat, punëdhënësit private u kanë lidhur pension mbi 82 milion amerikanëve. Në vitin 2003, u shpenzuan 90 milion dollarë për pensionet..."

Por këto fakte nuk kanë ndonjë rëndësi për zotin Dion Willis, i cili punon si hamall mobiljesh në zonën e Uashingtonit dhe ka tre fëmijë: "Megjithëse fitoj 13 dollarë në orë unë përsëri jetoj në nivelin e varfërisë sepse kam tre fëmijë, më duhet të paguaj qiranë dhe fëmijët duhet të shkojnë në shkollë."

Sondazhi i sindikatave tregon se punëtorët janë më të shqetësuar për rritjen e kostos së shëndetësisë dhe se vendet e punës po transferohen jashtë vendit. Vetëm 39 përqind e punëtorëve kanë vende pune me orar të plotë dhe kanë sigurime shëndetësore si dhe pension me kontributin e punëdhënësit: "Klasa e mesme nuk ekziston më. Ose do të jesh i varfër ose i pasur. Nëse je në mes, jeta është e vështirë."

Megjithatë, zoti Johnson thotë se punëdhënësit po bëjnë sa munden: "Punëdhënësit nuk mund të bëjnë më shumë. Edhe ata kanë familje dhe duan të fitojnë si gjithë të tjerët." Megjithë pakënaqësinë e një pjese të punëtorëve, numri i njerëzve që punojnë është në rritje. Statistikat e fundit të Departamentit të Punës tregojnë se papunësia ka rënë në 4.9 përqind, më e ulta në katër vjet.

XS
SM
MD
LG