Lidhje

Presidenti Bush rikthehet në zonat e dëmtuara nga Katrina


Presidenti Bush u rikthye në shtetet e Gjirit të Meksikës për të ri-inspektuar rajonet e shkatërruara nga urragani Katrina.

Presidenti Bush shkoi sot në Baton Ruzh, të Luizianës, ku popullsia është shtuar tej mase si rezultat i të zhvendosurve që kanë shkuar aty nga qyteti i përmbytur i Nju Orleansit.

Kjo është hera e dytë në katër ditët e fundit, që Presidentit Bush shkon në zonat e shkatërruara. Adminsitrata e tij është kritikuar ashpër për ngadalësi në marrjen e masave pas uraganit, veçanërisht në Nju Orleans.

Zyrtarët e ekipeve të ndihmave po punojnë intensivisht për të ndihmuar mbi gjysmë milioni banorë të evakuar nga rajoni i Gjirit të Meksikës. Guvernatori i Teksasit, Rick Perry tha se ai po shqyrton mundësinë e dërgimit të një pjese të të evakuarve në shtetet të tjera, meqë Teksasi nuk mund të mbajë më të zhvendosur të tjerë. Në Teksas ndodhen aktualisht 230 mijë të evakuar.

Kryetari i bashkisë së New Orleans Ray Nagin tha sot se situata në qytet është stabilizuar dhe se zyrtarët kanë burimet e nevojshme për të vazhduar operacionet e evakuimit dhe të pastrimit. “Jam më optimist sot. Kanë ardhur trupa dhe zjarrëfikësa nga i gjithë vendi, nga Teksasi, New Mexico, Kalifornia. Pra kemi mjaft burime të mjaftueshme për të ndryshuar situatën. Uji ka filluar të bjerë dhe kemi evakuuar ndoshta 40 apo 50 mijë njerëz. Ka filluar ndryshimi dhe kjo më bën të ndjehem mirë”, tha bashkiaku Nagin.

Helikopterët vazhdojnë të shpëtojnë të mbijetuarit e uraganit Katrina nga qyteti i përmbytur, duke i tërhequr ata me litarë nga çatitë e shtëpive. Për të përshpejtuar operacionet e shpëtimit Roja Bregdetare Amerikane kërkoi përmes mediave që njerëzit e bllokuar në ndërtesa të veshin rroba me ngjyra të ndezura për të tërhequr vëmendjen. Por në qytetin e zhytur në errësirë nuk është e qartë në se mesazhi arriti tek njerëzit e mbërthyer nga Katrina.

Situata në qytet mbetet e rrezikshme. Dje një helikopter i skuadrave të shpëtimit u rrëzua në afërsi të urës Danziger. Dy personat e ekuipazhit shpëtuan duke marrë vetëm plagë të lehta. Inxhinierët e ushtrisë amerikane ndërkohë vazhdojnë përpjekjet për të mbyllur të çarat në sistemin e digave.

Por pas evakuimeve në shkallë të gjerë ende nuk dihet numri i viktimave por trupat pa jetë shihen kudo, në kanale, në karrige invalidësh, të braktisur në autostrada. Derek Hall thotë se në lagjen e tij ka parë shumë të tillë: "Nuk kam parë shumë plaçkitje por shumë të vdekur. Kam nxjerr disa njerëz nga shtëpitë e tyre duke rrezikuar të mbytesha vetë. Kam dhënë ushqime duke bërë aq sa kam mundësi"

Qendra e Konventave në qytet ishte sot e boshatisur, por për katër netë ajo ishte strehë për dhjetra mijëra të evakuuar që kërkonin të dëshpëruar siguri. Rreth 25 mijë refugjatë ishin në këtë qendër duke pritur ndihmë. Mbeturinat pas largimit të tyre, tregojnë historinë e dëshpërimit dhe të mbijetesës.

Ndërkaq, një gazetë e New Orleans-it ka bërë thirrje që të gjithë zyrtarët e agjencisë federale të situatave emergjente të pushohen nga puna. Gazeta e New Orleans-it, Times-Picayune, botoi sot një letër të hapur drejtuar Presidentit Bush, në të cilën kritikon zyrtarët federalë për ritmin e ngadalshëm të përpjekjeve të shpëtimit pas uraganit Katrina.

Gazeta thotë se përgjigja e ngadalëshme e qeverisë ndaj kësaj fatkeqësie natyre u kushtoi jetën shumë njerëzve, që mund të kishin shpëtuar. Gazeta vë në dukje se gazetarët dhe vullnetarët hynë në qytet, ndërkohë që qeveria tha se kjo ishte e pamundur. Gazeta akuzon drejtorin e agjencisë Michael Brown se gënjeu hapur kur tha se agjencia u siguroi ushqim çdo ditë njerëzve të strehuar në qendrën e kuvendeve, pasi kishte thënë se një ditë më parë agjencia nuk e dinte se mijëra viktima ndodheshin atje. Presidenti Bush e mbrojti zotin Brown, duke thënë se ai po bën një punë shumë të mirë.

XS
SM
MD
LG