Lidhje

Presidenti Bush pritet të kërkojë 40 miliardë dollarë fonde emergjente për Katrinën


Policia në New Orleans njoftoi se do të zbatojë urdhërin e kryetarit të Bashkisë së Nju Orleansit që të gjithë civilët që shpëtuan gjallë pas uraganit Katrina të largohen nga qyteti i përmbytur.

Duke folur në një konferencë shtypi sot, zyrtarë të policisë së qytetit thanë se do të bëjnë së pari evakuimin vullnetar pastaj do të hyjnë nëpër shtëpi dhe strehime të tjera, ku njerzit qëndrojnë dhe nuk largohen dhe do të përdorin forcën e domosdoshme minimale për t’i evakuar ata. Të paktën disa mijëra banorë të qytetit New Orleans kanë qëndruar në shtëpitë e tyre megjithë zjarret sporadike dhe thirrjet e zyrtarëve të qytetit për t’u larguar.

Inxhinierët vazhdojnë punën për largimin e ujit nga Nju Orleansi pas riparimit të digës që u ça dhe shkaktoi përmbytjen e qytetit nga uragani Katrina para 9 ditësh. Numri zyrtar i të vdekurve nga uragani është më i ulët se ç’mendohet të jetë shifra reale – në Luiziana numërohen 83 të vdekur dhe në Misisipi 196. Por zyrtarët parashikojnë që ky numër të rritet me largimin e ujërave të përmbytjeve në Nju Orleans, ndërkohë që ekipet e kërkimet kontrollojnë shtëpitë e shkatërruara nga stuhia. Zyrtarët në Nju Orleans kanë konfirmuar se të paktën 30 nga pacientët e një qendre për të moshuarit kanë gjetur vdekjen nga uragani.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se 180 mijë viktima të uraganit janë ende nëpër vend-strehime në gjithë vendin. Mijëra të tjerë janë strehuar në shtëpi të tjera ose po qëndrojnë me miq dhe të afërm. Shtëpia e Bardhë tha se fondi i uraganit Katrina i drejtuar nga ish presidentët George Bush dhe Bill Clinton ka grumbulluar deri tani 60 milion dollarë. Zyrtarët e Kongresit amerikan thonë se Shtëpia e Bardhë ka në plan të kërkojë 40 miliard dollarë si fonde emergjence për të financuar fazën e re të rimëkëmbjes pas Uraganit Katrina.

Presidenti ka nënshkruar një paketë ndihmash emergjente prej 10 presje 5 miliardë dollarë për viktimat e uraganit. Por udhëheqësi demokrat në Senat, Harry Reid, thotë se uragani mund t’i kushtojë qeverisë federale 150 miliard dollarë.

Ndërkaq, anketat e opinionit tregojnë se amerikanët janë të ndarë në pikëpamjet e tyre lidhur me përgjigjen e autoriteteve federale dhe lokale ndaj uraganit Katrina. Sipas një ankete të re të organizatës Gallup 42 për qind e amerikanëve thonë se presidenti Bush bëri një punë të dobët ose shumë të dobët në përgjigje të katastrofës. Por 35 për qind e cilësojnë punën e tij si të mirë ose shumë të mirë. Opinioni publik për punën që bënë autoritetet lokale është po ashtu i ndarë në 35 për qind të publikut që shprehnin pikëpamje shumë negative dhe 37 për qind të tyre që kanë përshtypje pozitive.

Media amerikane vazhdon të përqëndrohet në arsyet përse u vonuan përpjekjet për evakuim masiv dhe dërgimi i rezervave ushqimore në zonat e goditura. Presidenti Bush dhe anëtarë të Kongresit janë zotuar të zhvillojnë hetime lidhur me problemet në përgjigjen ndaj katastrofës. Disa ligjvënës e kanë cilësuar incidentin - një dështim të sistemeve të reja kombëtare të gatishmërisë për emergjencat, që u krijuan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Një zyrtar i lartë i Departamanentit amerikan të Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar oferta prej afro një miliardë dollarësh ndihmë nga rreth 95 vende pas uraganit Katrina.

Sekretari Ekzekutiv i Departamentit të Shtetit Harry Thomas u tha sot gazetarëve se sfida më e rëndësishme do të jetë që këto oferta bujare t’u përshtaten nevojave të popullit amerikan. Departamenti i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara kanë marrë shuma të mëdha në dhurime nga Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Po ashtu departamenti i shtetit thotë se Australia, Kina, India, Irlanda, Japonia, Maldivet, Omani, Arabia Saudite dhe Jemeni i kanë dhuruar ndihma në para Kryqit të Kuq. Vende të tjera kanë ofruar paisje. Zoti Thomas tha se Irani kishte bërë një ofertë me kushte, por ai nuk pranoi të jepte hollësi.

XS
SM
MD
LG