Lidhje

Serchuk:  bisedimet për statusin e Kosovës duhet të fillojnë sa më shpejt


Një analist i Institutit Amerikan Enterprize me qendër në Uashington ishte kohët e fundit në Kosovë dhe thotë se bisedimet për statusin duhet të fillojnë sa më shpejt. Vance Serchuk i dha një intervistë korrespondentes së Zërit të Amerikës Jela Jevremoviç.

Analisti Vance Serchuk mendon se bisedimet për statusin e Kosovës duhet të fillojnë por thotë se është e paqartë se cila do të ishte forma që do të karakterizonte këto bisedime.

“Gjëja më e rrezikshme dhe destabilizuese që kemi parë që nga viti 1999 është paqartësia e thellë rreth së ardhmes së Kosovës deri në atë pikë ku asnjëra palë nuk e di se çfarë do të dilte nga ky proces. Kështu që si shqiptarët edhe serbët e Kosovës si dhe serbët e Beogradit janë të prirur për të ndryshuar faktet në terren dhe për të parashikuar përfundimin e bisedimeve. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar është në gjendje që ta bëjë të qartë se si mund të jetë rezultati pastaj të fillohet puna për hollësitë e marrëveshjes.”

Deri para një viti, thotë analisti, kërkohej plotësimi i standarteve para fillimit të bisedimeve për statusin. Pas dhunës së marsit politikanët amerikanë dhe evropianë ranë dakord se duhej ndryshuar metoda ku standartet të përfshiheshin brenda statusit. Paqartësia rreth statusit përfundimtar, në njëfarë mënyre po pengonte zhvillimin e vendit, si bllokimin e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë kjo krijonte një burim radikalizmi dhe destabilizimi. Padyshim, thotë zoti Serchuk, që vendi do të ketë një status, por pyetja qendron se çafrë forme ky status do të ketë. Zoti Serchuk thotë se një numër opcionesh janë përjashtuar nga diskutimet. Alternativa që pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar e cilëson si më të natyrshmen do të ishte një formë pavarësie e kushtëzuar.

Deri diku situata në të cilën është Kosova tani mund të përshkruhet si një zgjidhje në kërkim të procesit. Por ka edhe mundësi të tjera, për shembull që pjesët veriore të Kosovës ti jepen Serbisë si një marëveshje më e gjerë, alternativë që është hedhur poshtë nga komuniteti ndërkombëtar, ashtu si edhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Zoti Serchuk thotë se lidhur me përgatitjen e bisedimeve ekzistojnë një numër problemesh.

“Kur diskuton me përfaqësues të secilës palë dëgjon të njëjtat argumenta se janë të gatshëm të diskutojnë por ka hollësi, si për shembull, vendi i negociatave që marrin rëndësi tepër të madhe. Si do të takohemi, nën cilin flamur? Mendoj se arritja e një kompromisi do të bëhet e mundur me trysninë e komunitetit ndërkombëtar. Nuk duhet të harrojmë se kemi arritur deri në këtë pikë jo si rrjedhojë e ndonjë përparimi të bërë nga njëra apo tjetra palë për kompromis, por si rrjedhojë e dhunës së marsit 2004 dhe e vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Pra nuk ishte kompromisi që i sjell palët në tryezën e negociatave.”

Sipas analistit Shtetet e Bashkuara ndoshta do të ishte më mirë të shpreheshin më hapur për ato që kërkojnë nga palët pjesmarrëse në bisedime.

“Shtetet e Bashkuara janë shprehur se nuk duan të imponojnë idetë dhe standartet e tyre, por duan të mbështesin një zgjidhje që është e pranueshme nga të dyja palët. Por nuk është aq e thjeshtë, pasi megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk do të mbështesin ndonjë zgjidhje, ato kanë theksuar gjithashtu se nuk do të ketë ndarje territoriale dhe as bashkim me Shqipërinë. Pra nuk ka diskutim që ne imponojmë disa ide. Ne do të imponojmë idenë se duhet të fillojnë negociatat për statusin përfundimtar. Ndoshta Shtetet e Bashkuara do të ishin më të efektshme nëse do të tregoheshin më të hapura lidhur me ato që kërkojnë nga palët e përfshira, pasi kjo paqartësi po shfrytëzohet dhe interpretohet sipas qefit nga palët në rajon. Mendoj se Shtetet e Bashkuara në fakt kanë një zgjidhje të preferuar: ata parapëlqejnë një formë pavarësie të kushtëzuar, e cila do të sqaronte disi këtë gjendje të paqartë dhe do të krijonte një siguri më të madhe për shumicën shqiptare se Kosova nuk do të jetë më pjesë e Serbisë dhe si rrjedhojë edhe pakicat serbe nuk do të shiheshin më si kërcënim.”

Zoti Serchuk thotë se zgjidhja e preferuar do të përfshinte një kompensim për trashëgiminë kulturore serbe dhe se një zgjidhje e tillë do të gjente mbështetje të gjerë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Por Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë vetëm, por në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara, si rrjedhojë e marrëdhënieve të veçanta që kanë me komunitetin shqiptar, thotë analisti, janë në gjendje të ushtrojnë një farë trysnie për arritjen e një kompromisi, ndërkohë Bashkimi Evropian ka mundësi të ofrojë stimuj si antarësimi në BE apo marrëdhëniet tregëtare.

XS
SM
MD
LG