Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu dekreton kabinetin e ri qeveritar


Në Shqipëri presidenti Alfred Moisiu dekretoi sot listën me 15 ministra të kabinetit të ri qeveritar të zotit Sali Berisha. Dekretet iu dërguan po sot parlamentit. Pasdite kryetarja Jozefina Topalli pas konsultimeve me kryeministrin Berisha vendosi të thërrasë ditën e premte seancën ku do të diskutohet programi politik, i cili përveç objektivave katërvjeçare, ka të përcaktuara qartë synimet që qeveria e re i ka vënë vetes për 100 ditët e para të saj.

Kreu i shtetit Alfred Moisiu nuk e ka mbajtur më shumë se 48 orë listën e ministrave të përzgjedhur nga zoti Sali Berisha për të drejtuar vendin në 4 vitet e ardhshme. Sot në mesditë ai ka firmosur dekretet për të 15 emrat e kabinetit qeveritar duke i dërguar më pas ato, sipas procedurës, drejt parlamentit.

Drejtueses Jozefina Topalli i janë dashur vetëm pak orë për t’u konsultuar me kryeministrin Berisha dhe për të vendosur datën e thirrjes së parlamentit në seancën ku do të prezantohet kabineti për votbesim si dhe programi politik i qeverisë së djathtë. Kopje të programit janë vënë në dispozicion të grupeve parlamentare dhe deputetëve. Seanca do të nisë ditën e premte pasdite në orën 17.00.

Programi i qeverisë së re përmban linjat themelore dhe objektivat që synohet të arrihen në katër vitet e ardhshme, po njëkohësisht në të janë parashikuar dhe objektivat afatshkurtër. Ato çka kërkohet të realizohen në 100 ditët e ardhshme dhe më pas gjatë vitit 2006. Dy pikat e para të programit të 100 ditëve të para i janë kushtuar luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ku synohet goditja e shpejtë e grupeve të njohura kriminale dhe një ulje e ndjeshme e krimit ordinare.

Në planin ekonomik parashikohet ristrukturimi i administratës tatimore e doganore dhe pastrimi i tyre nga personat e korruptuar, përgjysmimi i menjëhershëm i tatimeve dhe taksave për biznesin e vogël, zbatimi i të cilit nuk do të mund të nisë para fundit të këtij viti, reduktimi i shpenzimeve qeveritare dhe rritja e pensioneve dhe pagave.

Korporata energjitike shqiptare dhe Albtelekomi do të jenë dy ndërmarrjet ndaj të cilave do të ketë një vëmendje të vecantë. Të dyja do të pësojnë një ndryshim të stafit drejtues, dhe një kontroll të rreptë financiar.

Për Albtelekomin do të rishikohet kontrata e nënshkruar nga qeveria Nano për shitjen e tij një kompanie turke. Por ndërsa fillimisht ishte folur për prishje automatike të kontratës, në program përcaktohet se do të ketë një rivlerësim të saj me ekspertizë ndërkombëtare. Në 100 ditët e para qeveria e re premton edhe rishikimin e disa ligjeve të miratuara nga ish shumica e majtë, si ai për legalizimin e banesave, për kthimin e kompensimin e pronave, dhe kompensimin e ish-të përndjekurve politikë.

XS
SM
MD
LG