Lidhje

Londra i kërkon Brukselit të ndryshojë qëndrim në mbrojtjen e lirive civile


Britania e Madhe thotë se Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë mundësinë e kufizimit të mbrojtjes së lirive civile me qëllim që të goditen terroristët dhe kriminelët ndërkombëtarë.

Esenca e argumentit britanik është se ndërkohë që terroristët kryen vrasje në masë, europianët duhet të ishin gati të hiqnin dorë nga disa prej lirive të tyre për të mirën e një grupi më të madh njerëzish. Britania mban tani presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Sekretari i Punëve të Brendëshme Charles Clarke i tha sot Parlamentit Evropian se vendi i tij do të fillojë një debat si të luftohen më mirë terroristët dhe kriminelët gjatë mandatit të tij 6-mujor në krye të Bashkimit Evropian: "Ne nuk duhet të harrojmë se ne kemi tani të drejta për të cilat kemi luftuar shumë, si e drejta e jetës private, e drejta e lirisë së fjalës, e drejta e udhëtimit, e drejta e jetës. Këto të drejta kërcënohen vazhdimisht nga kriminelët dhe terroristët. Ne e kemi për detyrë dhe është përgjegjësia jonë të mbrojmë qytetarët tanë duke marrë masa praktike. Ndërkohë që po shqyrtojmë mënyrat si ta bëjmë më mirë këtë, do të kemi gjithmonë parasysh të drejtat e qytetarëve".

Zoti Clark thotë se vendet e Bashkimit Evropian do t’u kërkonin firmave të telekomunikimit të mbanin të dhëna për përdorimin e Internetit, e-mailit dhe telefonisë celulare që policia të ketë mundësi t’i shqyrtojë për të luftuar kriminelët dhe terroristët. Ai tha gjithashtu se duhet të ketë standarde në shkallë evropiane për të dhënat biometrike, si pasaportat dhe patentat e makinave për të parandalaur fallsifikimet.

Zoti Clark sugjeron gjithashtu se Bashkim Evropian ka nevojë të rishikojë Konventën 50-vjeçare Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut, që parashikon ndalimin e dëbimit të individëve të dyshuuar në vende që praktikojnë torturën: "Për shkak të ndryshimit të rrethanave që kur u nënshkrua konventa, mendoj se është me shumë rëndësi që gjyqësori, gjykatësit, kur është fjala për të marrë vendime, të marrin parasysh rrethanat reale të botës moderne".

Zoti Clark tha se do të ishte gabim të dëboheshin njerëzit për t’u torturuar, por mund të arrihen marrëveshje me vendet për të siguruar se të drejtat bazë të njeriut të të pandehurve të mbroheshin. Çështjet e ngritura nga zoti Clarke do të shqyrtohen këtë javë kur ministrat e drejtësisë të Bashkimit Evropain të mblidhen në Britaninë e Madhe.

Ky debat zhvillohet ndërkohë që Britania e Madhe ka shpallur masa të reja kundër terrorizmit që nga shpërthimet e 7 korrikut në Londër, ku u vranë 56 vetë. Masat përfshijnë dëbimet e klerikëve islamikë të lindur në vende të huaja, që mbrojnë apo justifikojnë terrorizmin.

XS
SM
MD
LG