Lidhje

Prof. Kupchan: Zgjidhja e çështjes së Kosovës, mbijetesa e Bosnjës, do të pengonin përdorimin e Ballkanit nga grupet terroriste


Një analist i çështjeve ndërkombëtare i tha Zërit të Amerikës se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës dhe mbijetesa e Bosnjes si shtet shumëetnik do të ndikonin për të mos lejuar që grupet terroriste të hedhin rrënjë në Ballkan. Profesori i Universitetit Georgetown, Charles Kupchan i bëri komentet për shërbimin boshnjak të Zërit të Amerikës gjatë një konferencë që u mbyll dje në Uashington dhe ku ekspertë të njohur folën mbi të ardhmen e luftës kundër terrorizmit.

Pyetjes mbi vendin që zenë Kosova dhe Bosnja në luftën globale kundër terrorizmit, profesori dhe analisti Kupchan iu përgjegj se tani për tani, Ballkani vazhdon të mbetet një rajon dytësor përsa i përket të qënit burim sulmesh terroriste dhe se rajoni më problematik mbetet Lindja e Mesme.

Por, shtoi analisti, debati tani zhvillohet i fortë lidhur me çështjen se ç’do të ndodhë në vitet e ardhshme. Dhe të ardhmen e Ballkanit, ai e lidh me te ardhmen e Kosovës dhe të Bosnjes.

“A do të ketë një zgjidhje të statusit përfundimtar të Kosovës, a do të mund të mbijetojë Bosnja, si një vend shumëetnik, a do të integrohet mbarë rajoni në Evropë? Nëse përgjigja e këtyre pyetjeve do të ishte jo, në këtë rast, mund të imagjinohet që grupet terroriste të hedhin rrënjë në Ballkan. Në rast të kundërt, në se shohim që ka përmirësimedrejt përpjekjeve për pranimin në Bashkimin Evropian, do të thoja se rreziku për terrorizëm në këtë rajon mbetet i vogël”, tha profesor Kupchan.

Profesor Kupchan tha se për shkak te 11shtatorit, Ballkani deri në nje fare mase u largua nga vëmendja e Amerikës, si një rajon që përbën rrezik si burim terrorizmi. Ai tha se pas 11 shtatorit vëmendja përqëndrua tek Afganistani, në Lindjen e Mesme, por shtoi analisti, ngadalë, po hyn përsëri në skenë edhe Ballkani, pjesërisht për shkak të perspektivës së negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës. Profesori Kupchan mendon se është e rëndësishme që pikërisht për këto çështje, qeveria amerikane të riangazhohet në Ballkan, jo vetëm për Bosnjen dhe Kosovën, por edhe për Maqedoninë, ku e ardhmja, sipas tij është e paqartë dhe ku është nevojshme të bëhet progres në fushën e marrëdhënieve ndëretntike. Profesori Kupchan foli edhe për statusin qe duhet t’i jepet Kosovës, si një çështje imediate, nga e cila varet edhe e ardhmja e rajonit.

“Tani jemi në momentet kur bashkësia ndërkombëtare po përgatit negociatat per statusin përfundimtar dhe pikëpamja ime për këtë çështje, ështe se Kosova ka marrë drejtimin drejt pavarësisë”.

Analisti tha se do të ishte në interesin e qeverisë serbe ta përgatisë popullin për një ndarje zyrtare nga Kosova, ndërsa vetë shqiptarët duhet të punojnë më mirë për t’u përgatitur të drejtojnë një shtet demokratik që të funksionojë, nën sundimin e ligjit, një shtet të vetin, të veçantë dhe të pavarur, tha Kupchan.

XS
SM
MD
LG