Lidhje

Allbrajt për luftën kundër terrorizmit


Më 11 shtator bëhen katër vjet që nga sulmi terririst më vdekjeprurës në tokë amerikane. Me afrimin e këtij përvjetori, Amerika ende reflekton për humbjen, por në të njëjtën kohë debaton për mënyrën më të mirë për t’iu përgjigjur taktikave terroriste. Ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright foli kohët e fundit në një konferencë për terrorizmin dhe sigurin në Washington, lidhur me sfidat e luftës kundër terrorizmit.

Lufta kundër terrorizmit, thotë ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, kërkon përgjigje të fuqishme ushtarake. Megjithatë, ajo mendon se përdorimi i forcës nuk duhet të jetë aspekti qendror i përgjigjes së Amerikës ndaj terrorizmit. “Për të luftuar terrorizmi ne duhet të kuptojmë burimet tona të tjera të forcës, që sigurisht janë diplomacia, të kuptuarit e historisë dhe kulturave të vendeve me të cilat kemi të bëjmë, duke përdorur aftësitë për rritjen e nivelit arsimor, për të folur për rëndësinë e demokracisë dhe për të kuptuar se nëse duam të çrrënjosim terrorizmin, duhet luajtur një rol shumë më i madh”.

Asnjë vend nuk mund ta përballojë me sukses i vetëm kërcënimin terrorist, thotë zonja Albright. Natyra ndërkombëtare e terrorizmit paraqet nevojën e një përgjigjeje të përbashkët ndërkombëtare, që të sjellë si rezultat krijimin e aleancave anti-terroriste.

Në luftën e përbashkët ndaj terrorizmit, Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i lejojnë të veprojnë lirisht regjimet që luftojnë vlerat e Amerikës, si liria dhe të drejtat e njeriut, thotë ish-Sekretarja Albright: “Mua më shqetëson fakti që nëse terrorizmi është aspekti kryesor i politikës së jashtme, mbyllen sytë ndaj atyre vendeve që thonë se luftojnë terrorizmin. Ky ka qenë shqetësimi im për Presidentin rus Putin dhe Çeçeninë. Po ashtu edhe me Presidentin uzbek Karimov dhe ata që thonë se thjesht po luftojnë terrorizmin, kur në fakt po bëjnë diçka tjetër”.

Zonja Albright, që aktualisht është Kryetare e Institutit Demokratik Kombëtar, thotë se demokracia nuk mund të imponohet përmes forcës, por duhet të lindë nga brenda shoqërisë. “Nuk ka dyshim që unë jam për përhapjen e demokracisë. Megjithatë, demokracia nuk është imperializëm. Dhe kjo më shqetëson mua më shumë, me ato që po ndodhin tani, sepse demokracia barazohet me imponimin ushtarak dhe me këndvështrimin amerikan për demokracinë”.

Ish-Sekretarja e shtetit Albright tha se angazhimi amerikan në Irak, ka dëmtuar imazhin e Shteteve të Bashkuara, në vende të tjera. Pavarësisht nga mosmarrëveshjet e mëparshme, aleatët duhet ta pranojnë tani se rezultati i situatës në Irak do të ketë ndikim në sigurinë globale, për dekada me radhë. Madeleine Albright i bëri thirrje vendeve të botës së lirë, t’i lënë mënjanë mëritë dhe të punojnë së bashku drejt një synimi të përbashkët.

XS
SM
MD
LG