Lidhje

Zyrtarët: Viktimat e shkaktuara nga uragani, më të pakta nga ç’mendohej


Autoritetet në Nju Orleans thonë se ekipet e urgjencave kanë gjetur shumë më pak trupa se sa mendohej më parë dhe se numri i viktimave nuk pritet të jetë aq i lartë sa mendohej më parë, kur spekulimet për shifrën shkonin deri në 10 mijë të vdekur.

Gjatë një konference shtypi, koloneli Terry Ebert, shefi i agjencisë së qytetit për sigurimin e brendshëm, tha se për të mbrojtur dinjitetin e viktimave, nuk do të lejohet botimi i fotografive të trupave. Ai tha se shteti i Luizianës do të bëjë publike vetëm shifrën e viktimave.

Zyra e prokurorit të qytetit tha se policia, njësitë e gardës kombëtare dhe njësitë e ushtrisë e kanë plotësisht nën kontroll qytetin e shkatërruar. Autoritetet përsëri u bënë thirrje banorëve ende të palarguar të largohen menjëherë nga qyteti, por policia ende nuk i ka filluar evakuimet me forcë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi ndërkohë se Presidenti Bush do të shkojë përsëri në zonat e prekura nga uragani ditën e djelë.

XS
SM
MD
LG