Lidhje

Tiranë: përplasja e parë në parlamentin e ri


Në Tiranë, parlamenti i sapoformuar shënoi të premten përplasjen e parë mes shumicës së djathtë dhe asaj të majtë, që ka kaluar në opozitë pas tetë vjetësh.

Opozita e majtë braktisi seancën parlamentare nën preteksin për mos respektim të rregullores nga zv/kryeministri demokrat Ilir Rusmaili, i cili rreth 400 pyetjeve drejtuar kabinetit të ri qeveritar, u është përgjigjur në mënyrë të përgjithshme. Rreth 280 nga pyetjet i përkisnin sektorit ekonomik dhe financave.

Sipas socialistëve, rregullorja kërkon që pyetjet e çdo deputeti të lexohen tërësisht si dhe të përmendet edhe emri i deputetit që ka bërë pyetjen. Pas kësaj, socialistët kanë lënë sallën e parlamentit duke deklaruar kthimin e tyre vetëm atëherë kur do të fillonte debati për programin e qeverisë.

Programi i kryeministrit Berisha bazohet në katër objektiva. Në atë të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit demokratik, në themel të të cilave qendrojnë liritë dhe të drejtat e individit. I dyti, në rikthimin e forcës së shtetit ligjor, ku ligjet zbatohen tërësisht dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë, si dhe çmontimi i sistemit të korrupsionit. Së treti, zhvillimi i shpejtë i balancuar dhe i qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor. Së katërti, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Nato.

Këto objektiva, siç tha edhe Kryeministri Berisha mund të përmblidhen në një luftë të ashpër ndaj krimit të organizuar apo ndaj asaj që ai e quajti kioska mafioze dhe krimit të lidhur me politikën.

XS
SM
MD
LG