Lidhje

Një fushatë e re synon të frymëzojë italianët që të ruajnë trashëgiminë e tyre kulturore


Monumentet më të famshme të Italisë që nga Koloseu e deri tek piktura e famshme “Darka e Fundit” e Da Vinçit po tregojnë shenjat e kohës. Për këtë arsye, një fushatë e re me nota të forta emocionale po përpiqet të frymëzojë italianët të ruajnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe një prej thesareve më të paçmuara të botës.

Reklama tregon pamje të Firencen pa Këmbanaren e Giottos në qendër të qytetit, pamje të Pizës pa kullën e famshme të pjerrët, pamje të Romës pa Koloseun.

Ideja është që shikuesit të tronditen deri në atë pikë sa të hapin kuletat dhe të dhurojnë nga paratë e tyre për të mbrojtur trashëgiminë kulturore.

Për shembull fushata e reklamave përfshin edhe “Darkën e Fundit” të Da Vinçit me një boshllëk në mes, aty ku ndodhej fytyra e Jezu Krishtit.

Italia ka fonde të kufizuara për ruajtjen e monumenteve kulturore dhe kishave si dhe financimin e muzeumeve. Ndotja e mjedisit, moskujdesja dhe vandalizmi e bëjnë edhe më të mprehtë problemin.

Ministri i Kulturës Rocco Butiglione argumenton se kjo fushatë është e rëndësishme për të ndryshuar qëndrimin e italianëve, duke theksuar se qeveria nuk mund të përballojë e vetme barrën e mbrojtjes së këtyre objekteve.

“Detyra e mbrojtjes së objekteve e kapërcen kapacitetin e qeverisë jo vetëm të këtij vendi, por të qeverisë së çdo vendi. Ne duhet t’ua bëjmë të qartë njerëzve se duhet të angazhohen dhe të bashkëpunojmë me shtetin dhe se ruajtja e këtyre veprave të artit është një detyrë e përbashkët. Reklama është krijuar me tone të forta për të arritur të ndryshojë mentalitetin e italianëve”, thotë zoti Buttiglione.

Idenë e paraqiti një organizatë jo-fitimprurëse e quajtur CittaItalia. Krijuesi i fushatës reklamuese, Ledo Prato thotë se ka ardhur koha që italianët ta kuptojnë se duhet të angazhohen në mbrojtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe shton se toni tronditës jep rezultat:

“Mendojmë se ka ardhur koha t’u drejtohemi drejtpërdrejtë italianëve dhe t’i pyesim se si e imagjinojnë vendin e tyre pa trashëgiminë e tij kulturore?”

Qeveria italiane shpenzon më shumë se një miliard euro çdo vit për të mirëmbajtur thesaret artistike, por ministri i kulturës thotë se kjo shumë nuk është e mjaftueshme:

“Çdo vit shpenzojmë 1 presje pesë miliard euro. Por kjo është vetëm një përqindje e shpenzimeve të përgjithshme, pasi objektet tona të artit marrin fonde edhe nga ministri të tjera, ndërkohë që edhe sektori privat investon fonde në këtë drejtim”, thotë zoti Buttiglione.

Thesaret kulturore të Italisë tërheqin një numër të madh turistësh çdo vit, por zyrtarët thonë se duhen mbrojtur edhe objekte të tjera jashtë interesit turistik.

Përpjekjet për grumbullim fondesh nga vetë qytetarët janë një nismë e re në Itali, ku për shekuj me radhë mbrojtja e objekteve të artit ka qenë përgjegjësi e administratës. Fushata e re filloi vitin e kaluar, kur u grumbulluan afro 380 mijë dollarë për të riparuar një organo të shekullit të 18-të në Torino.

XS
SM
MD
LG