Lidhje

Gjykata e Lartë Amerikane: Procesi për emërimin e Kryetarit


Senati amerikan do të fillojë të hënën seancat e konfirmimit për zotin John Roberts, i emëruar nga Presidenti Bush si kandidat për kryetar të Gjykatës së Lartë amerikane. Zoti Roberts me siguri do të vihet përballë pyetjeve të vështira për punën e tij të mëparshme si dhe për qendrimet që ka mbajtur në të kaluarën rreth çështjeve të tilla delikate si aborti dhe e drejta e jetës private. Mbështetësit dhe kundërshtarët e tij me siguri që do ta intensifikojnë retorikën ndërkohë që zhvillohen seancat. Por përse në Shtetet e Bashkuara kandidatët për Gjykatën e Lartë janë objekt i një interesimi kaq të madh? Me këtë na njeh materiali në vazhdim.

Zgjedhja e një anëtari të ri të Gjykatës së Lartë është me rëndësi sepse kjo është gjykata më me peshë e vendit – sipas zonjës Judith Schaeffer – nëndrejtore e organizatës liberale lobiste Njerëzit për Mënyrën Amerikane me qendër në Uashington. "Gjykata e Lartë thotë fjalën e fundit për interpretimin e Kushtetutës, për çdo çështje gjyqësore që vendos të shqyrtojë prandaj cilido që zgjidhet në Gjykatën e Lartë, dhe këta janë vetëm 9 anëtarë, natyrisht që ka rëndësi të madhe, sidomos për faktin se ata emërohen në këtë post për jetë," thotë zonja Schaeffer.

Deri këtë verë, Gjykata e Lartë përbëhej nga po ata 9 anëtarë që nga viti 1994, periudha më e gjatë që përbërja e saj nuk ka patur ndryshime, thotë Michael Greve – studiues pranë Institutit konservator American Enterprise në Washington. "Kjo do të thotë se këta anëtarë e njihnin mirë njëri-tjetrin. Ata e dinë qysh më parë se çfarë bën secili koleg i tyre, prandaj emërimi i një anëtari të ri nuk është një emërim i zakonshëm. Tani, përbërja e Gjykatës së Lartë do të pësojë shumë ndryshime. Se çfarë rrjedhojash do të ketë kjo askush nuk e di por mund të thuhet se në Gjykatë do të ketë një periudhë me mjaft tronditje," thotë studiuesi.

Presidenti Bush e emëroi zotin John Roberts për postin e kryetarit të ardhshëm të Gjykatës së Lartë, pas vdekjes së gjykatësit William Renquist. Roberts njihet si konservator, prandaj nëse konfirmohet në këtë post, baraspesha ideologjike e gjykatës nuk do të ndryshojë. Por kur Presidenti Bush të emërojë dikë tjetër për t’i zenë vendin zonjës Sandra Day O'Connor, e cila dha dorëheqjen në fillim të kësaj vere, ka mundësi që gjykata të anojë nga e djathta. Megjithëse u emërua nga presidenti republikan Ronald Reagan, zonja O'Connor përfaqësonte një votë të paparashikueshme në Gjykatën e Lartë të ndarë sipas linjave ideologjike. Shpesh ajo hidhte votën vendimtare në çështjet tepër të debatueshme. Sigurisht që kjo do të ndryshojë nëse Presidenti Bush emëron një gjykatës shumë konservator për t’i zënë asaj vendin.

"Shumë nga këto çështje janë jashtëzakonisht të debatueshme – nga aborti dhe të drejtat e homoseksualëve e deri tek autoriteti i qeverisë federale mbi shtetet, e kështu me radhë," thotë zoti Greve.

"Shumë nga vendimet më të rëndësishëm gjatë këtyre viteve të fundit janë marrë me një raport votash 5 me 4, qofshin ato vendime të mira apo të këqia. Gjykatësja O'Connor ishte shembull klasik i anëtares vota e së cilës nuk parashikohej dot," thotë zonja Scheffer.

"Në disa nga këto çështje ekziston dyshimi i arësyeshëm se një emërim i ri mund t’i përmbyste vendimet e marra më parë. Prandaj politikanët në të dy krahët po i ndjekin me interesim kaq të madh zhvillimet në Gjykatën e Lartë," thotë analisti Greve i Institutit Enterprise.

Pra, cilido që të emërojë Presidenti Bush në vend të gjykatëses O'Connor, ky kandidat pritet të përballet me pyetje të forta dhe kjo nuk do të jetë hera e parë që ndodh. Në vitin 1987, Presidenti Ronald Reagan emëroi gjykatësin konservator Robert Bork në vend të zotit Lewis F. Powell, i cili dilte në pension. Ky emërim u bë shkak për fushata të papara lobiste nga ana e grupeve konservatore dhe liberale. Debati në senat ishte i ashpër, plot tone të mprehta politike. Më në fund, emërimi i Borkut u hodh poshtë. I ashpër ka qenë edhe debati për emërimin e Gjykatësit Clarence Thomas. Ai u emërua nga Presidenti George Herbert Walker Bush – i ati i presidentit të tanishëm, në vend të gjykatësit Thurgood Marshall, i cili dilte në pension.

Organizatat që përfaqësonin pakicat iu kundërvunë me forcë emërimit për shkak të pikpamjeve të zotit Thomas mbi të drejtat civile. Pastaj ndaj tij u ngritën akuza për imoralitet dhe kështu ai u bë objekt senacash të tejzgjatura. Por meqenëse nuk pati prova bindëse, senati më në fund e konfirmoi zotin Thomas, i cili është ende anëtar i Gjykatës së Lartë.

XS
SM
MD
LG