Lidhje

Izraeli shpall zyrtarisht përfundimin e pushtimit të Rripit të Gazës


Ushtria izraelite uli flamurin e saj në Rripin e Gazës, në përfundim të pushtimit 38-vjeçar të këtij territori palestinez, nga i cili do të tërhiqet plotësisht deri të hënën në agim. Afro 200 ushtarë morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar të dielën në ish-vendbanimin hebraik Neve Dekalim, i cili u evakuua së bashku me 20 vendbanime të tjera izraelite muajin e kaluar. Udhëheqësit palestinezë nuk pranuan të marrin pjesë në ceremoni.

Në mbarë Gazën, forca palestineze të sigurimit dhe civilë ishin mbledhur pranë disa vendbanimeve në pritje për të marrë kontrollin sapo të largohen forcat izraelite. Trupat izraelite qëlluan dhe plagosën të paktën 3 palestinezë pranë një ish-vendbanimi ku ushtarët ende bënin roje.

Disa orë më parë, kabineti izraelit shpalli zyrtarisht përfundimin e pushtimit. Kabineti votoi gjithashtu për të mbyllur 19 sinagoga në Gazë, duke e lënë fatin e tyre në dorë të zyrtarëve palestinezë, të cilët thonë se nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë ndërtesat e braktisura. Izraeli kishte fillimisht në plan t’i shkatërronte sinagogat, por hebrenj konservatorë thanë se shkatërrimi i tyre ishte në kundërshtim me ligjin fetar.

XS
SM
MD
LG