Lidhje

Evropa - Strehë dhe eksportuese e mundshme e terrorizmit


Një numër gjithnjë e më i madh ekspertësh thonë se Evropa Perëndimore është shndërruar në strehë për terroristët si dhe një terren përgatitor për sulme terroriste në të ardhmen. Ekspertët thonë se niveli i ulët i asimilimit të pakicave myslimane në shoqëritë evriopiano-perëndimore i bëjnë këto pakica më të prekshme nga ideologjitë radikale, si pikëpamjet e al-Kaidës.

Më 7 korrik 2005, sulmet terroriste në sistemin e transportit publik të Londrës shkaktuan vdekjen e 52 personave të pafajshëm dhe të katër autorëve të sulmeve vetëvrasëse. Këto sulme shkatërruan edhe iluzionin se ekstremizmi islamik është vetëm një kërcënim i jashtëm për shoqëritë perëndimore. Katër shtetas britanikë dyshohen se ishin atorët e sulmitndaj shoqërisë ku u rritën dhe jetuan. Ilan Berman, nënpresident i Këshillit për Politikën e Jashtme Amerikane, një organizatë studimore me qendër në Uashington, thotë se Evropa Perëndimore po shndërrohet njëkohësisht në djep dhe në eksportuese të terrorizmit:

"Është krejt e qartë se sulmet e kryera në Britani më 7 korrik vunë në dukje një fakt shumë shqetësues, se Evropa është bërë një inkubator për shumë ndjenja anti-perëndimore. Ka shumë myslimanë evropianë, të cilët shkojnë në Irak për t’u bashkuar me luftën fetare kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara," thotë zoti Berman.

Myslimanët janë pakica më e madhe fetare në Evropë dhe islamizmi është besimi fetar që po njeh përhapjen më të madhe në këtë kontinent. Një projekt i fundit kërkimor i organizuar nga Biblioteka e Kongresit mbi terrorizmin islamik në Evropë vë në dukje se pjesa më e madhe e myslimanëve në Evropë nuk janë të përfshirë në veprimtari radikale. Megjithatë, raporti thekson se ekzistojnë komunitete ekstremiste islamike, që megjithëse nuk përfaqësojnë prirjet e përgjithshme, janë shumë aktive në Evropën Perëndimore.

Raporti i Shërbimeve Kërkimore të Kongresit thekson se ligjet liberale për strehim politik dhe imigracion ia bëjnë mjaft të lehtë marrjen e dokumentave të banimit në vende të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Britani, islamistëve radikalë që paraqesin dëshmi se janë përndjekur politikisht në vendet e tyre. Sapo vendosen në Perëndim, këta elementë radikalë fillojnë të predikojnë islamizmin e dhunshëm.

Autoritetet evropiano-perëndimore deri tani kanë zbatuar “tolerancën e kujdesshme” ndaj ekstremistëve të tillë, me arsyetimin se duhet mbrojtur liria e fjalës në vendet e tyre. Kjo praktikë ka çuar në përhapjen e celulave terroriste në Evropën Perëndimore, siç theksohet në raport. Qeveritë evropiane po përpiqen të reformojnë ligjet për imigracion dhe strehim politik në mënyrë që të vihet nën kontroll ekstremizmi islamik.

Francis Fukuyama, profesor në Universitetin Johns Hopkins thotë se qeveritë e Evropës Perëndimore nuk i kanë kushtuar vëmendje asimilimit të pakicave të mëdha myslimane në shoqëritë e këtyre vendeve. Ndjenjat negative që rezultojnë prej kësaj shndërrohen në terren të favorshëm për ide radikale, duke çuar deri atje sa këta individë të sulmojnë shoqëritë në të cilat jetojnë. Sipas profesorit Fukujama e ardhmja e qytetërimit perëndimor mund të varet në suksesin që arrijnë Britania, Franca dhe Gjermania në asimilimin e popullsive të tyre myslimane:

"Kjo sfidë, pra zgjidhja e problemit të integrimit të myslimanëve, është ndoshta problemi më i madh për të ardhmen e demokracive liberale dhe të Perëndimit. Gjithë problemi ka të bëjë me mungesën e asimilimit. Nuk kemi të bëjmë me shtetas të huaj. Autorët e sulmeve në Britani ishin shtetas britanikë prej 2 apo 3 brezash. Ata u rritën në një shoqëri britanike të hapur dhe demokratike, megjithatë ata ndjeheshin deri diku të veçuar," thotë profesori.

Zoti Fukuyama thotë se demokratizimi i Lindjes së Mesme nuk do të mjaftonte për të zgjidhur problemin global të terrorizmit islamik. Ai e konsideron si një nevojë urgjente përfshirjen aktive të komuniteteve myslimane në shoqëritë evropiano-perëndimore ku jetojnë.

XS
SM
MD
LG