Lidhje

Kuota të reja për pranimin e studentëve në universitetet shqiptare


Në Shqipëri, Ministria e Arsimit dhe rektorët e universiteteteve ranë dakort sot për kuotat e reja të pranimeve të studentëve, duke hedhur poshtë kështu vendimin e marrë nga qeveria e ish kryeministrit Fatos Nano për hapjen këtë vit të auditorëve për të gjithë maturantët. Po ashtu qeveria e djathtë ka shumë mundësi që të mos zbatojë as hapjen e tre universiteteve të reja për të cilat ishte marrë vendim nga qeveria e mëparshme.

Vendimi i ish kryeministrit Nano për të liberalizuar tërëishst këtë vit mundësinë e shkollimit të lartë për mbi 26 mijë të rinj dhe për të hapur tre universitete të reja ishte qartë një kurth politik për të vënë përballë faktit të kryer shumicën aktuale dhe qeverinë e zotit Berisha e cila i kishte ato pjesë të premtimeve elektorale.

Mes mbajtjes së premtimeve dhe pamundësisë reale për të zbatuar një liberalizim të menjëhershëm duket qartë se qeveria e re, ka zgjedhur që të zbresë me këmbë në tokë dhe të shfrytëzojë ato mundësi që universitetet shqiptare kanë për momentin. Në ndihmë asaj i kanë ardhur edhe përfaqësuesit e universiteteve të cilët e kanë të pamundur qoftë për arsye fizike qoftë dhe financiare që të përballonin një fluks prej 26 mijë studentësh.

Sot në takimin me ministrin e Arsimit Genc Pollo, rektorët e universiteteve kanë paraqitur propozimet e tyre për kuotat e pranimit, të cilat janë megjithatë më të mëdha se ato që kishin kërkuar më parë. E përkthyer në shifra, universitetet nuk do të mund të pranojnë më shumë se 16 deri 17 mijë studentë.

Kryetari i Konferencës së rektorëve Shezai Rrokaj tha se ishte gjetur mirëkuptimi me ministrin e arsimit: "Ne do të jemi në bashkëpunim, stafet tona, në kuptimin e një partneriteti me qeverinë do të propozojmë dhe nevojat që janë më emergjente dhe u ra dakort për një strategji më të studiuar bashkëpunimi për të ardhmen se tani jemi në fazën që do të japim zgjidhjen më emergjente".

Nga ana e tij Ministri Pollo tha se qeveria do të japë mbështetje të plotë që viti akademik të nisë e të zhvillohet normalisht: "Secili universitet paraqiti kuotat maksimale që mund të pranojë, përfshirë edhe një shtesë ekstra në krahasim me propozimet e tyre pas vendimit të qeverisë. Për këtë unë i falenderova se është një shtesë e cila merret duke patur parasysh nevojën për liberalizimin, nevojën për arsimimin e lartë të shumë kërkuesve, por nga ana tjetër duke mos prekur cilësinë e mësimdhënies dhe kjo do të mbështetet nga qeveria për ambiente, personel dhe material didaktik".

Qeverisë së djathtë do t’i duhet të gjejë mundësitë për të rritur fondet e parashikuara për Arsimin e lartë, ndërkohë që sic la të kuptohet dhe ministri Pollo vështirë se mund të nisin këtë vit tre universitetet e reja të shpallura nga ish qeveria e majtë: "Shkeljet në legjislacion nga mosparashikimi në buxhetin e shtetit të cdo lloj gjëje që lidhet me nimsa krejtësisht politike e provokative nga qeveria e vjetër më duket shumë e vështirë të flasim për një vit akademik në këto qytete".

Zoti Pollo tha se përpara se të merren vendimet për hapjen e universiteteve të tjera do ketë studime dhe rezulatet e tyre do ti nënshtrohen një debati të gjerë publik dhe vetëm në përfundim mund të merret një vendim politik nga qeveria.

XS
SM
MD
LG