Lidhje

Grupi i Krizave propozon emërimin e një komisioneri të posaçëm për Mitrovicën


Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka nxjerrë sot një raport, ku propozon rrugët për zgjidhjen e situatës në Mitrovicë, si domosdoshmëri për ecurinë e procesit të statusit përfundimtar të Kosovës. Grupi i Krizave thotë se integriteti teritorial ësthë politika e duhur për Mitrovicën, pasi ndarja e saj do të sillte më shumë tensione në Kosovë dhe mungesë stabiliteti gjetkë në Ballkan.

Një nga propozimet që bie më shumë në sy është ai për emërimin e një Komisioneri të posaçëm për Mitrovicën, gjatë periudhës së përcaktimit të statusit, në rangun e zëvendësit të përfaqësuesit të Sekratarit të Përgjithshëm të OKB-së. Grupi i Krizave thotë se UNMIK-u dhe KFOR-i duhet të rimarrin në dorë gjendjen në veri të lumit Ibër, nën drejtimin e komisionerit.

Po ashtu në raport thuhet se stacionet e paligjshme policore të Beogradit duhet të hiqen nga veriu i Kosovës. Për të siguruar integritetin territorial, por pa ngjallur frikë mes serbëve se nuk do të kenë asnjë lloj pushteti mbi jetën e tyre, grupi propozon vendosjen e dy ose tre ministrive në Mitrovicë, në vend që të jenë në Prishtinë dhe madje mbase edhe Gjykatën e Lartë.

Po ashtu sugjerohet një stacion televiziv kombëtar në gjuhën serbe, si edhe disa elementë të qeverisjes qendrore të Kosovës, si për shembull qendra e sistemit arsimor, shëndetësor dhe shërbimesh të tjera sociale për të gjithë serbët e Kosovës.

Grupi i Krizave thotë se si komuniteti ndërkombëtar, ashtu edhe qeveria e Kosovës duhet të synojnë bashkëpunimin e qeverisë serbe në këtë drejtim. Ideja është që pa marrë një status zyrtar si një njësi më vete, veriut serb i Mitrovicës i duhet dhënë në thelb një status autonomie.

Shqiptarët, thuhet në raport duhen bindur që mbështetja për këto nisma, do të lehtësonte presionin për ndarjen tek lumi i Ibrit.

Grupi i Krizave, që e bën të qartë se preferon që rezultati përfundimtar të jetë një pavarësi funksionale me kushte për Kosovën, thekson gjithsesi se mos-ndarja e Kosovës nuk mund të realizohet vetvetiu.

Dhe duke pasur parasysh pikërisht një gjë të tillë, duket se Grupi i Krizave në thelb propozon shndërrimin e Mitrovicës në qytetin e dytë më të rëndësishëm zyrtar të Kosovës, pas Prishtinës dhe veriun e tij të banuar me serbë, kryeqendrën administrative të gjithë serbëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG