Lidhje

Zv/kryeministri Rusmali në mbështetje të përfshirjes së SHISH në Ministrinë e Brendëshme


Në Shqipëri zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, deklari sot se vendimi për përfshirjen e Shërbimit Informatiov Shtetëror në varësi të Ministrisë së Brendshme nuk bie ndesh me pavarësinë kushtetuese të këtij institucioni.

Deklarimi i zëvendëskryeministrit pasoi komentet e bëra dje prej presidentit Alfred Moisiu nga Nju Jorku, sipas të cilit një hap i tillë duhet të jetë i menduar mirë.

Vendimi i qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha për të kaluar Shërbimin Informativ Shtetëror në varësi të Ministrisë së Brendshme vazhdon të mbajë ndezur debatet politike në vend. Dje në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Alfred Moisiu, i cili sipas të drejtës që i jep kushtetuta emëron me propozim të kryeministrit drejtuesin e këtij institucioni, u shpreh se një hap i tillë duhet të jetë i menduar dhe i peshuar mirë, të jetë i gjykuar bashkarisht duke pare dhe legjislacionin.

Por sot ka mbërritur reagimi i zëvendëskryeministrit Ilir Rusmali. Nëpërmjet një deklarate ai ka lënë të kuptohet qartë se nuk ka vend për diskutime dhe se vendimi për këtë është marrë. Sipas tij shkaqet që nxitën një ndryshim të tillë lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenin e kapjes së shtetit nga strukturat kriminale: "Ky vendim nuk bie ndesh me asnjë lloj pozicioni të pavarësisë kushtetuese të institucionit sepse në Shqipëri sikundër në të gjithë vendet e tjera të botës, shërbimet infomative janë pjesë e ekzekutivit. Në të gjitha vendet që kanë ministri të brendshme, shërbimi informativ është pjesë e strukturës së minstrisë së brendshme. I tillë do të jetë Shish dhe në Shqipëri tani që struktura e re e qeverisë parashikon krijimin e Ministrisë së Brendshme".

Aktualisht kushtetuta parashikon që drejtuesi i Shërbimit Informativ të jetë në varësi direkte të kryeministrit i cili dhe propozon emrin e kryetarit të këtij institucioni. Sipas zotit Rusmali, ndryshimi që synon të realizojë qeveria e re nuk çon në përqëndrim pushtetesh: "Interpretimi se kjo krijon përqëndrim të pushtetit është i gabuar sepse kalimi i institucionit nga varësie direkte dhe ekskluzive e kryeministrit në varësi të minisrit të Brendshëm nuk është centralizimi, është decentralizim".

Por në të vërtetë më shumë se sa ana ligjore apo kushtetuese e një vendimi të tillë të pritshëm, shqetësimi më i madh nxitet nga historia jo e largët e funksionimit të këtij institucioni që jo rrallë është përdorur politikisht. Të njejtin shqetësim ngrinte dje dhe presidenti Moisiu i cili kujtoi se vendi ka një përvojë të hidhur që në kohën e Gazidedes e më vonë.

Sipas tij kohët e fundit është arritur që ky shërbim të depolitizohet dhe ti shërbejë interesave të vendit dhe kërkesave që parashikon ligji dhe kushtetuta. Edhe përfaqësuesit e së majtës në opozitë kanë kundërshtuar në parim një ndryshim të tillë, edhe ata duke vënë në dukje rrezikun e përdorimit politik të këtij institucioni per shkak te brishtesise se demokracise shqiptare.

XS
SM
MD
LG