Lidhje

Filloi takimi i nivelit të lartë të OKB-së


Sot në Kombet e Bashkuara u hap takimi i nivelit të lartë të udhëheqësve botërorë, me thirrje për të luftuar terrorizmin dhe për të zbatuar reforma të gjithanshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan tha se vendet anëtare të OKB-së nuk kanë miratuar reformat themelore, që kërkohen për të ruajtur efektivitetin e organizatës botërore. Ai tha se udhëheqësit botërorë po shënojnë përparim drejtim miratimit të dokumentit të ri, i cili përcakton angazhime të reja të Kombeve të Bashkuara për të luftuar varfërinë globale dhe për të ndalur gjenocidin.

Megjithatë zoti Annan kritikoi vendet që nuk arritën të binin dakort rreth masave për çarmatimin bërthamor dhe mospërhapjen e armëve. . Presidenti Bush e filloi fjalimin e tij duke falënderuar vendet e tjera për ndihmën e dhënë për përpjekjet e rindërtimit pas uraganit Katrina. Presidenti Bush do të zhvillojë takime dypalëshe me kryeministrin izraelit Ariel Sharon dhe kryeministrin britanik Tony Blair në ambjentet e konferencës. Dokumenti, i cili u miratua dje nga asambleja e përgjithshme konsiderohet si një version i pjesshëm i propozimit largpamës të zotit Annan të paraqitur në fillim të këtij viti. Krerët e shteteve dhe qeverive prej mëse 150 vendeve u mblodhën në qendrën e Kombeve të Bashkuara për takimin që shënon 60 vjetorin e OKB-së.

Presidenti Bush i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të përmbushin dy sfida: atë të luftës kundër terrorizmit dhe çrrënjosjes së varfërisë. Në një fjalim gjatë një takimi të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, presidenti foli gjithashtu për vullnetin e Shteteve të Bashkuara për të ndërmarrë veprime dramatike në fushën e tregtisë.

Presidenti Bush shkoi në Kombet e Bashkuara në kohën e një tragjedie dhe dhimbjeje të madhe për popullin amerikan. Ai filloi fjalimin e tij duke falenderuar komunitetin ndërkombëtar për ndihmën e dhënë për viktimat e uraganit Katrina. Ai e bëri këtë për të treguar se vendet e botës mund të bëjnë shumë të mira kur veprojnë si një forcë e vetme. “Përgjigja juaj, ashtu si përgjigja ndaj cunamit të vitit të kaluar, ka treguar edhe njëherë se bota është më e mëshirshme dhe shpresëdhënëse kur vepron së bashku.”

Presidenti e bëri të qartë se kjo gjë do të jetë qenësore në mënyrë që Kombet e Bashkuara të ndihmojnë në trajtimin e problemeve të mëdha me të cilat përballet bota tani. “Ndërsa ne i përgjigjemi nevojave të mëdha humanitare, ne duhet t’i përgjigjemi në mënyrë aktive sfidave të mëdha të kohës sonë. Ne duhet të vazhdojmë punën për të lehtësuar vuajtjet, për të përhapur lirinë dhe për të hedhur themelet e një paqeje jetëgjatë për fëmijët tanë dhe pasardhësit e tyre.”

Presidenti Bush u tha krerëve të rreth 150 vendeve të mbledhur në fillimin e seancës së asamblesë së përgjithshme se komuniteti ndërkombëtar duhet të rregullojë kushtet që i bëjnë të varfërit dhe të shtypurit të zgjedhin rrugën e terrorizmit. Ai tha se sulmet terroriste në thuajse çdo cep të globit kanë treguar se askush nuk mund të injorojë vështirësitë e të tjerëve. “Ne duhet të ndihmojmë në ngritjet e shteteve që kanë ngelur në vend dhe shoqërive pa ndihmë që sigurojnë kushtet për lindjen e terroristëve. Ne duhet të mbrojmë dhe të përhapim vizionin e dinjitetit human, mundësive dhe prosperitetit, i cili është shumë më i fuqishëm se pamja e errët e vendeve të mbetura keq dhe vrasjes.”

Presidenti Bush foli gjithashtu për një numër përpjekjesh që po bëhen në ndihmë të vendeve të varfëra, siç është programi amerikan në luftën kundër Sidës në Afrikë dhe Karaibe, dhe përpjekjet për lehtësimin e borxheve të miratuar kohët e fundit nga udhëheqësit e vendeve më të pasura demokratike dhe Rusisë, të ashtëquajtura Grupi i Tetëshes. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e tregëtisë ndërkombëtare, duke thënë se heqja e kufinjve në tregëti mund të nxjerrë qindra milionë njerëz nga varfëria gjatë 15 viteve të ardhshme.

Presidenti foli për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për raundin e tanishëm të negociatave globale për tregëtinë dhe premtoi veprime dramatike nga ana e Shteteve të Bashkuara nëse vendet e tjera do të ndjekin të njëjtin shembull. “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të hequr të gjitha tarifat, subvencionet dhe pengesat e tjera për rrjedhjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve ndërkohë që vendet e tjera bëjnë të njëjtën gjë. Ky është kyçi i kapërcimit të varfërisë në vendet më të varfëra të botës.”

Presidenti Bush vuri në dukje se Kombet e Bashkuara janë krijuar për të luftuar varfërinë dhe sëmundjet dhe për të ndihmuar në sigurimin e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit për të gjithë. Ai tha se për t’i përmbushur këto synime, Kombet e Bashkuara duhet të miratojnë reforma, të mos kenë korrupsion dhe të jenë përgjegjëse para popujve për të cilët punojnë.

XS
SM
MD
LG