Lidhje

Kontrolli i Shtetit: Shkeljet në ambasadën shqiptare më shumë se 150 mijë dollarë


Në Shqipëri pas skandalit të disa muajve më parë që përfshinte ambasadorin e atëhershëm në Uashington Fatos Tarifa, është kontrolli i lartë i shtetit që deklaron se ka zbuluar shkelje që arrijnë shumë e mbi 150 mijë dollarëve. Sipas këtij kontrolli Tarifa i cili është i shkarkuar nga detyra ka administruar vetë të gjitha fondet sipas dëshirës duke kryer shkelje të disiplinës financiare.

Ajo çka u zbulua në muajin maj të këtij viti pas denoncimit të bërë nga një biznesmenë shqiptar ndaj ambasadorit Fatos Tarifa në Uashington për përfshirje në një skandal financiar, duket se është nga pikëpamja financiare disa herë më e vogël se shifrat e zbuluara nga kontrolli i lartë i shtetit.

Shqyrtimi i të gjithë veprimtarisë financiare të ambasadës në tre vitet e drejtuara nga zoti Tarifa ka nxjerrë në pah sipas ekspertëve shpërdorime që shkojnë në mbi 150 mijë dollarë. Kontrolli i Lartë deklaron se shkeljet kanë të bjnë me abuzime që nisin nga organizimi i pritjeve, pagesat e pajustifikuara ndaj të tretëve, shpenzime të larta të celularit dhe me udhëtimet dhe deri te pagesa për persona që nuk kanë patur lidhje me ambasadën apo veprimatarinë e saj dhe që ekspertët e Kontrollit të lartë dyshojnë se mund të jenë kryer në favor të njerëzve me lidhje farefisnore me zotin Tarifa. Ndër shkeljet e konstatuara ka gjithashtu dhe pagesa për riparime të pajustifikuara apo të kryuera jo si duhet në ambasadë.

Në të vërtetë, biznesmeni shqiptar Bregasi, akuzoi ambasadorin se ai i kishte marrë hua një shumë prej disa mijëra dollarë në këmbim të disa punimeve që do të duhej të kryeshin në mjediset e ambasadës. Biznesmeni i cili kishte regjistruar bisedën me zotin Tarifa, deklaroi se në momentin që ai kishte kërkuar të tërhiqej nga kryerja e punimeve, ai kishte refuzuar ti kthente borxhin.

Ky skndal bëri që fillimisht zoti Tarifa të pezullohej nga detyra dhe më pas të shkarkohej. Atij iu kërkua kthimi urgjent në Tiranë, po asnjëherë nuk u mor vesh nëse kjo ndodhi. Gjithashtu nga ministria e jashtme shqiptare nuk u fol më as për rezultatet e kontrollit financiar që u krye nga ana e saj. Raporti i Kontrollit të lartë pritet t’i dorëzohet Ministrisë së jashtme, kryeministrit dhe presidentit.

Në shumë raste dosje të tilla i janë dërguar edhe prokurorisë për ndjekje penale, ndonëse eksperiencat e mëparshme kanë treguar dështim, për shkak se prokuroria i ka konsideruar të pamjaftueshme faktet dhe provat e servirura nga Kontrolli i Lartë. Me emërimin e disa muajve më parë të kreut të ri të Kontrollit Robert Ceku, institucioni që ai drejton dhe prokuroria janë angazhuar për një bashkëpunim më të frytshëm.

XS
SM
MD
LG