Lidhje

Socialistët kritikojnë vendimet e para të qeverisë Berisha


Në Shqipëri socialistët kritikuan sot vendimet e para të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha dhe deklarat e bëra prej tij. Kryetari i bashkisë së Tiranës dhe pretendenti për postin e kryetarit të partisë socialiste Edi Rama sulmoi ndër të tjera vendimin për mbylljen e univerisiteteve në Berat e Fier dhe këmbënguljen e qeverisë së djathtë për transferimin e shërbimit informativ në Ministrinë e Brendshme.

Në selinë e partisë socialiste, të mbetur pa kryetar, aspiranti kryesor për këtë post Edi Rama, për të dytën herë brenda pak ditësh, u shfaq në foltoren e saj duke folur në pozitat e një lideri de facto të kësaj partie. Ai nuk pranoi të fliste për garën për kreun e partisë, por vetëm për analizën e qeverisë së drejtuar nga zoti Berisha. Sipas tij, në 5 ditët e para të punës së qeverisë së djathtë kanë lindur pesë probleme të cilat ai i cilësoi si mjaft shqetësuese. "Në 5 ditë pune nuk mund të prisnim asgjë më të mirë por na kanë ndodhur shumë më të rënda se ato që mund ti fallen një qeveria amatore dhe një kryeministri amator. Janë 5 probleme që kanë të bëjnë me një mendësi të tërë, një mendësi që duhet ta përbalojmë dhe të përpiqemi ta korrigjojmë të gjithë së bashku", tha zoti Rama. Ai ka ngritur si problem të parë atë të mbylljes së universiteteve në Fier e Berat.

Universitete të krijuara me vendim të qeverisë në ikje të zotit Nano dhe që ishin haptazi një kurth politik për pasuesit e djathtë për shkak të premtimeve të tyre për liberalizim të shkollave të larta. "Kjo është një shkelje e rëndë e paktit me qytetarët, shkelje e rëndë e të drejtës së këtyre të rinjve, këtyre familjeve, është shkelje falgrante e etikës së komunikimit me qytetarët.Unë konsideroj se zoti Berisha dhe qeveria e tij duhet të marin seriozisht në vëmendje nevojën për të mos I lënë këta të rinj pas dyerve të bëjnë të gjithë sakrificat e nevojshme për të mundësuar hapjen e këtyre universiteteve, jo vitin tjetër por sot", deklaroi Rama.

Në të vërtetë situata e krijuar nuk është aspak e lehtë për qeverinë e zotit Berisha, pasi të paktën afër 3 mijë të rinj mendohet se kanë konkurruar në këto universitete. Por qeveria në këtë rast ka preferuara realitetin dhe përballë premtimeve elektorale. Pavarësisht deklarateve të rektorëve të emëruara se Universitetet janë të gatshme të funksionojnë, është urdhëruar pezullimi i tyre dhe ministria e arsimit ka premtuar që të shohë mundësinë që të rinjtë që kanë konkurruar të kenë mundësi për në universitetet e tjera të vendit. Zoti Rama ka kritikuar duke e cilësuar një puç institucional vendimin për transferimin e Shërbimit Informativ nën varësinë e ministrisë së Brendshme. Ai ka sjellë në kujtesë veprimtarinë e shërbimeve sekrete në kohën kur zoti Berisha ishte president.

Zoti Rama tha se në atë kohë, përmes këtij shërbimi, zoti Berisha goditi intelektualë, gazetarë dhe qytetarë. Gabime të tjera apo gafa siç i cilësoi ai, janë konsideruar nga zoti Rama edhe emërimi i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave pa përfillur ligjin e shërbimit civil, deklaratën e zotit Berisha për zgjatjen e projektit të trenit elektrik Tiranë Durrës, deri në Kavajë, apo dhe deklaratën tjetër të kryeministrit se në takimet në Kombet e Bashkuara do të kërkonte ndihma për Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG