Lidhje

Bashkimi Evropian superfuqia e ardhëshme?


Megjithë problemet e shumta ekonomike dhe demografike Bashkimi Evropian është një forcë e madhe thotë autori i një libri të ri mbi të ardhmen e BE-së. Në një diskutim kohët e fundit në Qendrën Woodrow Wilson këtu në Washington disa ekspertë ranë dakort se Bashkimi Evropian mund të ngrihet në statusin e superfuqisë, por më parë duhet të liberalizojë ekonomitë e saj, të reformojë tregun e punës dhe të integrojë më mirë pakicat etnike në rritje. Grupi i ekspertëve bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara ta trajtojnë Evropën e bashkuara si një nga aleatët kryesorë.

Në librin e tij "Superfuqia e Ardhëshme? Evropa dhe Sfidat që i shtohen Shteteve të Bashkuara", Rockwell Schnabel, ish ambasadori amerikan në BE, parashikon ardhjen e kohës evropiane.

Gjatë një diskutimi në qendrën Woodrow Wilson në Washington ai theksoi gjithashtu se një Evropë e fortë dhe e sigurtë është në interesin e Shteteve të Bashkuara: "Është shumë e rëndësishme për ne të kuptojmë se Evropa është një partnere me të cilën duhet të punojmë dhe të kemi marrëdhënie të mira", tha zoti Schnabel.

Me një popullësi 500 milionëshe, 12 trilion dollarë prodhim të përgjithshëm bruto, 25 vota në OKB, 2 vende në agjencinë bërthamore dhe me buxhetin më të madh në botë për ndihma të huaja, Bashkimi Evropian është duke i diktuar rregullat korporatave amerikane, thotë Stuart Eizenstat, ish zëvendësserkretari i Thesarit dhe ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian. Ai solli si shembull marrëveshjen e Kiotos mbi ngrohjen globale të cilën administrata Bush refuzoi ta ratifikonte. "Kompanitë amerikane gjithnjë e më shumë po zbatojnë regullat e Kiotos, megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e marrëveshjes. Një numër gjithë e më i madh i degëve evropiane të kompanive amerikane duhet të zbatojnë marrëveshje pasi evropianët e kanë nënshkruar atë".

Por përpara 25 vendeve anëtare të Bashkimit ka sfida që duhen zgjidhur në se duan ta shohin veten si një fuqi ekonomike botërore në të ardhmen. Një krizë e thellë ekonomike në disa pjesë të kontinentit të vjetër po kërcënon standartet e jetetës së njerëzve të saj. Rockwell Schnabel, autori i librit i cili është gjithashtu një bankier i suksesshëm kalifornez, beson se reformat e punës, shkurtimi i taksave dhe liberalizimi i tregut mund ta përmirësojnë dukshëm të ardhmen ekonomike të vendeve evropiane. Ai lavdëron përshembull transformimin e ekonomisë irlandeze përmes reformave radikale pro-biznesit.

Ekspertët në të dyja anët e Atlantikut kanë paralajmëruar rreth pakësimit të ndjeshëm të popullësisë si një nga sfidat më të mëdha si për ekonominë evropiane ashtu edhe për identitetin e saj kulturor. Popullësia e plakur dhe në zhdukje evropiane, thonë shumë ekspertë, do të varet tek ardhja e imigrantëve shumica myslimanë nga jashtë Evropës. Kritikët argumentojnë se duke i trajtuar ata si punëtorë të përkohshëm qeveritë evropiane kanë neglizhuar ti integrojnë ata në shoqëri.

Martin Walker, gazetar britanik këtu në Amerikë thotë se myslimanët e varfër dhe të izoluar nga shoqëria, nuk e shohin veten si evropianë dhe kanë krijuar shoqëritë e veta paralele brenda një numri vendesh evropiano-perendimore: "Mësimi më i rëndësishëm që duhet të marrin evropianët dhe Shtetet e Bashkuara është se suksesi nuk vjen nga ekonomia e gjallë apo nga tregu energjik i punës por nga mundësia që të jep Amerika të asimilohesh. Mundësia për të patur një sens më të gjerë identiteti që përfshin italiano-amerikanët, gjermano-amerikanët, arabo-amerikanët e me rradhë. Aftësia që ta treguar dhe demonstruar Amerika si një e vetme, e përbërë nga shumë është ajo për të cilën kemi shumë nevojë ne evropianët".

Ekspertët e mbledhur në qendrën Wilson arritën në përfundimin se transformimi potencial i 25 vendeve anëtare të Besë në superfuqi të ardhshme botërore do të varet tek aftësia për të zgjidhur me sukses sfidat demografike dhe ekonomike në disa pjesë të saj.

XS
SM
MD
LG