Lidhje

Çmimet "Emmy" për programet televizive


Dramat biografike për një ish-President dhe një anëtar të familjes mbretërore britanike, zhytur në harresë, ishin mes prodhimeve televizive që u nderuan mbrëmë me çmime Emmy për programe televizive.

“Pranverat e ngrohta” që bënte fjalë për vitet e para të luftës së Franklin Roosveltit me poliomelitin fitoi çmimin për filmin më të mirë televiziv. “Princi i humbur” që rrëfen historinë e Princit John, birin jo shumë të njohur të Mbretit George të Britanisë dhe Mbretëreshës Mary, u nderua për kategorinë e serialit të shkurtër.

Në ceremoni u nderuan gjithashtu edhe drejtuesit e lajmeve Tom Brokaw dhe Dan Rather që tashmë kanë dalë në pension, ashtu si edhe Peter Jennings që vdiq para pak kohësh nga kanceri në mushkëri.

Çmimet Emmy sollën këtë vit një mbrëmje të paharrueshme. Donald Trump mori çmimin për talentin e tij si këngëtar, në konkursin e parë të organizuar ndonjëherë të frymëzuar nga konkursi televiziv për talentet e reja.

Felicity Huffman fitoi çmimin si aktorja më e mirë protagoniste për komedinë “Desperate Housewives”, “Gra shtëpiake të dëshpëruara”. Huffman, përveç kolegëve dhe krijuesve të komedisë së suksesshme, falenderoi bashkëshortin e saj, aktorin William H. Macy. Me çmimin si komedia më e mirë televizive u nderua “Everybody loves Raymond”, që u ndërpreh pas nëntë vjetësh në sezonin e kaluar televiziv. Doris Roberts, e kësaj komedie fitoi përsëri rolin si aktorja më e mirë joprotagoniste.

Gjatë ceremonisë, pati edhe homazhe prekëse: Drejtuesi i një emisioni me humor të orëve të vona, David Letterman nderoi paraardhësin e tij Johny Carson. Dhe duartrokitjet dhe brohoritjet pasuan mesazhin për nder të gazetarit dhe drejtuesit të lajmeve Peter Jennings. “Ai u largua shumë shpejt prej nesh, duke i lënë në mes gjithë ato gjëra që kishte ende për të bërë”, tha zoti Rather.

Ceremonia e çmimeve bëhet pas uraganit Katrina dhe fituesit kujtuan viktimat dhe punën që duhet bërë. Në fund të fundit, ishte drejtuesja e spektatlit, Ellen DeGeneres që e përmblodhi gjithçka me një fjali: “Mendoj se po ta shohësh me kujdes, të fitosh një Emmy nuk është ndonjë gjë e madhe. Të mos i ngatërrojmë përparësitë: Dihet se çfarë është e rëndësishme në jetë: Të marrësh një Oscar”.

XS
SM
MD
LG