Lidhje

Pheniani kërkon reaktor me ujë të lehtë para se të çarmatoset


Korea e Veriut thotë se do të heqë dorë nga programi i saj i armëve bërthamore kur Shtetet e Bashkuara t’i japin asaj një reaktor me ujë të lehtë për të plotësuar nevojat e saj me energji. Shtëpia e Bardhë tha se kjo kërkesë është në kundërshtim me rrjedhën e ngjarrjeve për të cilat u ra dakord dje dhe sugjeroi se Penjani ka nevojë për kohë që të reflektojë. Japonia e cilësoi kërkesën e Penjanit të papranueshme. Ministria e Jashtme e Kinës u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbushin angazhimet e tyre.

Në bisedimet e Pekinit, Koreja e Veriut u zotua të heqë dorë nga programet e saj të armëve bërthamore në shkëmbim të garancive me ndihma ekonomike dhe të sigurimit. Palët pjesëmarrëse ranë dakord se pajisjet për një reaktor për qëllime civile do të diskutohen më vonë. Por pak pas nënshkrimit të marrëveshjes, Penjani tha se Washingtoni nuk duhet të presë që Koreja e Veriut të shkatërrojë armët e saj para se të marë reaktorët me ujë të lehtë.

Korea e Veriut ka rënë dakord të ndërpresë ndërtimin e armëve bërthamore në shkëmbim për garanci ekonomike dhe sigurimi. Ky njoftim u bë në Pekin nga ekipi e negociatorëve ndërkombëtarë që po përpiqen të arrijnë një marrëveshje me Korenë e Veriut që nga gushti i vitit 2003.

Kjo arritje vjen pas më shumë se dy vjet bisedimesh mes dy Koreve, Shteteve të Bashkuara, Kinës, Japonisë dhe Rusisë. Në parim, Korea e Veriut ka rënë dakord të heqë dorë nga armët ekzistuese bërthamore dhe t’i kthehet Traktatit për Mospërhapjen e tyre. Në shkëmbim ajo do të marrë ndihmë në naftë dhe në energji nga vendet e tjera së bashku me premtimet se Shtetet e Bashkuara nuk do ta sulmojnë Korenë e Veriut.

Analistët thonë se Korea e Veriut mund të ketë zgjedhur rrugën e bashkëpunimit dhe ka lënë mënjanë konfrontimin. I dërguari amerikan në bisedime, ndihmës sekretari i Shtetit, Christopher Hill, e quajti atë një zhvillim pozitiv: “Mendoj se për Korenë e Veriut është veçanërisht e vështirë sepse ajo ka qënë e angazhuar në këto programe bërthamore për 20-25 vjet. Në bazë të kësaj marrëveshjeje ajo do të heqë dorë nga këto programe bërthamore. Ky është një vendim dhe një ndërmarrje e madhe, por është padyshim vendimi më i drejtë që ata kanë marrë”.

Marrëveshja shënon hapin e parë drejt sigurimit të një zone të lirë nga armët bërthamore në gadishullin korean. Megjithë perspektivën e mirë që hap kjo marrëveshje, fqinjët e Koresë së Veriut e mirëpritën këtë lajm me rezerva, sepse sipas tyre kjo është marrëveshje vetëm në parim. Një përvojë të tillë kanë patur edhe vetë Shtetet e Bashkuara me një marrëveshje të ngjashme të vitit 1994, që u shkel në vitin 2002 pasi Korea e Veriut pranoi se kishte një program për pasurimin e uraniumit. Presidenti Bush tha se është optimist por edhe skeptik: “Ky është një hap i mrekullueshëm përpara, por ne duhet të verifikojmë nëse marrëveshja do të bëhet realitet”.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Fenianit të mbajë premtimet duke u dhënë fund operacioneve në objektin e saj kryesor bërthamor të Yondbyon-gut. Të dërguarit e posaçëm thonë se kanë në plan të takohen përsëri në muajin nëntor për të përcaktuar hollësitë e marrëveshjes.

XS
SM
MD
LG