Lidhje

Nasa shpalos planet për udhëtime të ardhshme në Hënë


Shtetet e Bashkuara njoftuan planet për të dërguar përsëri astronautë në Hënë brenda vitit 2020. Kanë kaluar më shumë se 30 vjet që kur njeriu i fundit shkeli në sipërfaqen e Hënës. Nasa thotë se programi i propozuar do të jetë më i sigurtë se fluturimet me anije për vajtje-ardhje në hapësirë dhe do të bëjë realitet vizionin e presidentit Bush për eksplorimin e hapësirës:

Të hënën agjencia amerikane e hapësirës Nasa paraqiti planet për Mjetin Eksplorues me Ekuipazh, një anije fluturuese që pason anijet e Nasës për vajtje-ardhje në hapësirë. Anija e re do të projektohet për të dërguar në Hënë katër astronautë, të mbështesë një ekuipazh me afro 6 anëtarë për fluturimet e ardhshme në Mars dhe të dërgojë astronautë dhe furnizime në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Administratori i Nasës Michael Griffin i doli në mbrojtje programit për udhëtime në Hënë me vlerë prej 104 miliard dollarësh, duke thënë se synon të bëjë realitet vizionin e presidentit për eksplorimin e hapësirës. "Nëse Shtetet e Bashkuara nuk duan të heqin dorë nga misionet me ekuipazhe në hapësirë, atëherë duhet të ndërtojmë këtë mjet fluturimi. Nuk kam dëgjuar njeri të ngrejë argumentin se do të ishte më mirë për Shtetet e Bashkuara të hiqnin dorë nga hapësira ndërkohë që vendet e tjera vazhdojnë eksporimet," thotë zoti Griffin.

Kostoja e programit të ri të eksplorimeve në Hënë e shtrirë në një periudhë 13 vjeçare, pas llogaritjes së inflacionit, përbën vetëm 55 për qind të kostos së programit të hapësirës Apollo në vitet 1970. Anija e re do të pajiset me raketa fuqizuese, serbatorë dhe motorë kryesorë dhe do t’u përngjasë misioneve Apollo. "Anija e re i ngjet shumë misionit Apollo. Ka një tjetër lloj mburoje kundër nxehtësisë. Ka një sistem tjetër për kontakte me Tokën. Por projekti është shumë i ngjashëm me Apollon, veçse është më i madh. Është njësoj sikur ta kesh bombarduar Apollon me steroide."

Administratori Griffin thotë se projekti i propozuar do të jetë 10 herë më i sigurtë se anijet e mëparshme për vajtje ardhje në hapësirë, pasi është i pajisur me një raketë shpëtimi që mund të shkëputet menjëherë nga anija kryesore nëse shfaqen probleme, si për shembull në se shpërthen zjarri gjatë nisjes. Sipas përllogaritjeve të Nasës shanset për dështim të këtij misioni janë 1 në 220.

Nga të 114 anijet që u lëshuan në hapësirë që nga viti 1981, dy anije u shkatërruan dhe 14 astronautë humbën jetën. Në korrik misionet e flotës së anijeve të hapësirës u pezulluan pas një udhëtimi me sukses të anijes Discovery, ndërkohë që inxhinierët përpiqeshin të zgjidhnin problemet e herëpashershme me shkëputjen e materialit izolues të anijes gjatë nisjes. 2 vjet kaluan pa dërgimin e anijeve në hapësirë që kur shkëputja e materialit izolues të anijes Kolumbia nga serbatori i jashtëm shkaktoi aksidentin që rezultoi në vdekjen e ekuipazhit të saj në vitin 2003.

Misionet e anijeve për vajtje ardhje në hapësirë parashikohet të përfundojnë brenda vitit 2010. Pritet që nga viti 2012 të hidhet në hapësirë një mjet fluturues pa ekuipazh, por kjo varet nga sigurimi i fondeve për këtë program. Mjeti i parë fluturues me ekuipazh mund të niset për në Hënë në vitin 2018, ose më së shumti brenda vitit 2020, që presidenti e ka caktuar si objektiv për kthimin e Amerikës në Hënë. Sapo të vihet në lëvizje ky mision, Nasa shpreson të financojë së paku 2 misione në vit me synimin për të ndërtuar një stacion të përhershëm në Hënë.

XS
SM
MD
LG