Lidhje

Presidenti Bush viziton zonat e goditura nga Katrina në Gjirin e Meksikës


Presidenti Bush vizitoi përsëri rajonin e Gjirit të Meksikës mes shqetësimeve se ky rajon mund të goditet përsëri nga një tjetër stuhi e madhe, si dhe për t’u njohur nga afër me përpjekjet e ndihmave pas uraganit Katrina. Presidenti u takua me udhëheqës biznesesh dhe të komunitetit në qytetin e dëmtuar rëndë Gulfport në shtetin Misisipi, para se të shkonte në Nju Orleans të Luizianës, ku u informua për stuhinë tropikale Rita.

Zyrtarët paralajmëruan se New Orleansi mund të përmbytet përsëri nga shirat e rrëmbyeshëm, ose në se ndodh një tjetër stuhi. Kjo është vizita e pestë e Presidentit Bush në rajonet e goditura nga uragani muajin e kaluar, që la të varrë më tepër se 900 vetë. Ai e bëri këtë udhëtim mes kritikave të shumta se administrata e tij reagoi me shumë ngadalësi ndaj fatkeqësisë.

Meteorologët paralajmërojnë se stuhia Rita mund t’i drejtohet Gjirit të Meksikës, në jug të Nju Orleansit në dy-tre ditët e ardhshme. Kryetari i Bashkisë së New Orleansit Ray Nagin pezulloi kthimin e banorëve në qytet, duke thënë se ekziston rreziku i goditjes nga uragani Rita.

Vetëm disa orë pasi disa banorë të Nju Orlinsit filluan të kthehen në shtëpitë e tyre për herë të parë pas 3 javësh, kryetari i bashkisë Ray Nagin u kërkoi atyre të largohen. Zoti Nagin pezulloi dje planin e tij për të filluar ripopullimin e gati një të tretës së qytetit. "Sistemi i digave është ende i dobët. Stacionet e pompimit nuk janë në kapacitet të plotë dhe çdo lloj stuhie që të na godasë mund të shkaktojë dëme të rënda edhe në pjesën lindore të qytetit. Stuhia tropikale Rita mund të godasë Nju Orlins, në një kohë që digat mbrojtëse ende nuk janë riparuar nga uragani Katrina," tha kryetari i bashkisë Nagin.

Të hënën presidenti Bush kritikoi planin e kryetarit të bashkisë së New Orleansit për të kthyer njerëzit në qytet. "Kryetari i bashkisë ka ëndrën e tij për të kthyer banorët e qytetit dhe për ta drejtuar atë dhe ne e kuptojmë dëshirën e tij. Por në të njëjtën kohë duhet të jemi realistë për pengesat dhe vështirësitë që kemi përpara në Nju Orlins," tha presidenti.

Edhe kur pezulloi planet e kthimit, kryetari i bashkisë Nagin mbrojti vendimin e tij të mëparshëm për të rihapur disa pjesë të qytetit. "Mendoj se është e rëndësishme për banorët tanë të kthehen në qytet dhe të ndjejnë se kanë një qytet që i pret," tha zoti Nagin.

Dhe për disa banorë, një vizitë e shkurtër në qytet i qetësoi shpirtërisht. "Dua të kthehem e të shoh çfarë mund të shpëtojë e çfarë jo," thotë një banor.

Kryetari i bashkisë tha se githkush në qytet duhet të përgatitet për t’u evakuuar të mërkurën. Rreth 20 përqind e Nju Orlinsit vazhdon të jetë e përmbytur tre javë pas Katrinës, dhe ekipet ende po kërkojnë shtëpi më shtëpi për të vdekur.

XS
SM
MD
LG