Lidhje

Shtohet mbështetja për ta kaluar çështjen e Iranit në Këshillin e Sigurimit


I dërguari i lartë amerikan në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike tha se mes delegatëve të kësaj agjencie po shtohen shqetësimet që çështja e armëve bërthamore të Iranit t’i kalohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori amerikan Gregory Schulte u tha diplomatëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të mbledhur në Vienë se ka ardhur koha që të veprohet kundër Iranit. Washingtoni dhe Bashkimi Evropian e akuzojnë Teheranin se përpiqet të zhvillojë armë bërthamore. Irani i mohon këto akuza.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së mund të vendosë sanksione në se arrin në përfundimin se Teherani nuk vepron në përputhje me traktatin për mos-përhapjen e armëve bërthamore. Përpjekjet e vendeve perëndimore për të shtuar mbështetjen që bordi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike t’ia referojë çështjen e Teheranit Këshillit të Sigurimit kundërshtohet nga Rusia, Kina dhe disa vende të tjera, që duan vazhdimin e bisedimeve midis Bashkimit Evropian dhe Iranit.

Po sot, nënpresidenti i Iranit Gholamreza Agazadeh tha se vendi i tij nuk ka në plan të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, megjithë paralajmërimet që bëri dje një negociator i lartë iranian.

XS
SM
MD
LG