Lidhje

Procesi i privatizimit në Kosovë konsiderohet i suksesshëm në tërheqjen e investitorëve


Agjencia Kosovare e Mirëbesimit shpalli fituesit e përkohshëm të shitjeve të ndërmarrjeve me spin-off të rregullt në ceremoninë e hapjes së ofertave të valës së shtatë.

Zëvëndëskryeadministratori Larry Rossin tha së interesimi i investitorëve po rritet në çdo valë privatizimi dhe kjo tregon që zhvillimi i Kosovës po bëhet hap pas hapi. Ndërsa përfaqësuesi i lartë i UNMIK-ut, Joachim Ruecker përmendi shifrat totale të shitjeve si dëshmi që investitorët e Kosovës e përkrahin privatizimin.

Bujar Dugolli, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se numri i madh i pjesëmarrësve konfirmon rritjen e besimit në procesin e privatizimit dhe në të ardhmen e Kosovës, dhe se kjo është rezultat i bashkëpunimit të mirë midis institucioneve vendore dhe atyre institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

22 ndërmarrje të reja ishin në dispozicion për shitje në këtë valë privatizimi. Vlera e përgjithshme e ofertave fituese të raundit të dytë ishte më shumë se 20 milion euro. Rezultatet dhe fituesit e deritashëm në këtë valë janë të përkohshëm.

Agjencia Kosovare e Mirëbsimit vazhdon të punojë në finalizimin e të gjitha shitjeve, kontrollimit të dokumentacionit dhe përfundimit të pagesave nga fituesit e përkohshëm. Ndër ndërmarrjet e nxjerra në shitje në këtë valë privatizimi janë një fabrikë tullash, një qendër për servisim automjetesh dhe kamionësh, ndërmarrje bujqësore, dhe të tjera. Shitja me spin off special do të thotë se oferta fituese përfshin premtimin për punësim, investime dhe përvojë në punë.

Agjensia kosovare e mirëbesimit, e cila vazhdon të mbetet kryesisht nën kontrollin e autoriteteve ndërkombëtare, është institucioni që merret me privatizimin në Kosovë. Vitet e fundit, u desh të tejkaloheshin një numër problemesh midis zyrtarëve vendorë dhe autoriteteve ndërkombëtare lidhur me mënyrën e punës së kësaj agjensie. Tani, qoftë autoritetet ndërkombëtare, qoftë ato vendore, theksojnë vazhdimisht bashkëpunimin në punën e tyre në cështjet që lidhen me privatizimin.

XS
SM
MD
LG