Lidhje

Volker: Prova e qeverisë së re është sesi të bashkëpunojë për çështjet që shtrohen përpara


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë e re në Shqipëri dhe se ndërrimi i pushtetit në zgjedhjet e fundit ishte nga më të suksesshmit në Shqipëri. Kurt Volker, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, tha se mosarritja e një konsensusi në NATO, ishte një nga faktorët që aleanca vendosi të mos konsiderojë zgjerimin para vitit 2008. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Volker foli edhe për procesin e statusit përfundimtar të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Volker, sipas sugjerimit të Shteteve të Bashkuara, NATO-ja vendosi të mos zgjerohet deri në vitin 2008, ndërkohë që tre vende ballkanike, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kishin shpresuar të merrnin një ftesë për anëtarësim në vitin 2006. Cilat janë arsyet për këtë vendim të aleancës?

Kurt Volker: Para së gjithash dua të them se procesi i zgjerimit të NATO-s ka qenë një sukses i madh. Nëse u hedh një vështrim zhvillimeve në Evropën Lindore dhe Qendrore gjatë viteve të fundit, ka pasur përparime të mëdha, përsa i takon demokracisë, ekonomisë, reformave në mbrojtje dhe ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe duam që të vazhdojë. Në këtë moment, nuk ka një konsensus të fortë brenda NATO-s, për të ftuar vende të tjera gjatë kësaj periudhe. Ne donim që të vazhdonim përpjekjet për 2-3 vitet e ardhshme që të bindemi që kemi të bëjmë me kandidatë të fortë, të gatshëm për t’u bërë anëtarë të NATO-s.

Në Planin e Aksionit për Anëtarësim në NATO, ku Shqipëria mori pjesë me sukses, së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, ka kritere që kanë të bëjnë me reforma politike, ekonomike, të mbrojtjes, për kontrollin civil ndaj ushtrisë, ndërveprim, aftësi për të kontribuar në misionet e NATO-s. Shqipëria ka arritur përparim të konsiderueshëm në të gjitha këto drejtime. Mendoj se nëse ka diçka për të cilën ekziston konsensusi në NATO është që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me të tre këto vende që të bëhen gati për anëtarësim. Unë nuk do ta shihja faktin që ftesa nuk do të bëhet në vitin 2006, si zhgënjim, por si një proces ku mund të bëhen përparime gjatë dy viteve të ardhshme dhe sesi Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia të përgatiten për të qenë sa më të suksesshme.

Zëri i Amerikës: Shpesh herë politikanët në këto vende, përfshirë edhe Shqipërinë, bëjnë premtime për futjen e vendeve të tyre në struktura të tilla si NATO dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se vendet e tyre do të kenë sukses në plotësimin e reformave të nevojshme. A duhet në të vërtetë që ata të japin afate të tilla dhe a mund të na thoni se cilat janë hapat dhe sa kohë merr një proces i tillë?

Kurt Volker: Së pari, dua të theksoj se NATO-ja nuk kishte caktuar ndonjë datë dhe nuk kishte thënë se do t’i bënte ftesat në vitin 2006. Një nga gjërat e reja është se ne paraqitëm një datë, duke thënë se ne do të marrim vendime për zgjerimin e mundshëm të ardhshëm, në atë periudhë. Por asnjëherë nuk mund të merren angazhime paraprake. Ne nuk mund ta vendosim sot se cili do të jetë gjykimi ynë për përgatitjen e një vendi pas tre vjetësh. Do të shohim se sa përparim do të ketë dhe kjo është një mundësi për këto vende, që të rishikojnë vendimet e tyre, për të rritur sa më shumë shanset për anëtarësim. Kështu që ne e vlerësojmë që politikanët në Ballkan e kuptojnë se është e rëndësishme që të bëjnë përparim në drejtim të integrimit evropian, të integrimit në NATO. Por NATO-ja nuk ka caktuar ndonjëherë data dhe asnjë politikan nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara shpesh kanë theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë janë shumë të mira. Duke patur parasysh ndryshimet politike atje, pra me një qeveri të re, si do të jetë e ardhmja e këtij bashkëpunimi?

Kurt Volker: Ajo që ka rëndësi është procesi demokratik. Ne bashkëpunojmë me çdo qeveri që del nga një proces demokratik i suksesshëm. Në Shqipëri ka një qeveri të re me të cilën do të bashkëpunojmë ngushtë. Ne kemi patur një partneritet të shkëlqyer me Shqipërinë gjatë viteve të fundit. Mendoj se krahasuar me përvojat e mëparshme në Shqipëri për ndërrimin e pushtetit, kjo ishte një nga më të suksesshmet. Tani prova është sesi do të bashkëpunojmë për çështjet që shtrohen përpara. Shqipëria ka qenë aktive në planin e veprimit për anëtarësim në NATO, ka trupa në Irak dhe Afganistan, çka tregon angazhimin e përbashkët për sfidat e sigurisë që kemi përpara dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin me çfarëdo qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj cilat janë sfidat me të cilat përballet qeveria e re në Shqipëri?

Kurt Volker: Nuk ka nevojë t’ia them qeverisë se cilat janë sfidat, pasi ajo i ka vetë më se të qarta. Besoj se të gjithë presin të shohin forcimin e institucioneve demokratike, rritje ekonomike, hapje vendesh të reja pune, reforma ekonomike, integrimin në Evropë, sigurisht, ku është e ardhmja afatgjatë për Shqipërinë dhe përparimin në këtë drejtim, si edhe marrëdhëniet me fqinjët. Gjatë dy viteve të ardhshme ne do të jemi duke punuar për Kosovën dhe Bosnjën dhe mendoj se si një vend kyç për rajonin, Shqipëria do të jetë e angazhuar edhe në çështjet e rajonit.

Zëri i Amerikës: Përsa i takon Kosovës, a mund të komentoni ju lutem se cilat janë shqetësimet aktuale të Shteteve të Bashkuara për situatën atje, dhe qëndrimi aktual i Departamentit të Shtetit për procesin e statusit përfundimtar?

Kurt Volker: Është e rëndësishme që ne të punojmë për të ecur përpara me statusin e Kosovës, por së pari duhet të jetë e qartë që duhen plotësuar standardet demokratike, të garantohet respekti për pakicat, pjesë të rëndësishme e identitetit që krijon Kosova. Ndërsa zoti Kai Eide, i dërguar i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përgatit raportin e tij, ne pastaj mund të merremi me fazën e ardhshme, për një proces ndërkombëtar nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara që do të kenë një të dërguar që do të merret me fillimin e bisedimeve për statusin afatgjatë të Kosovës. Ne do të marrim pjesë në ato bisedime së bashku me anëtarë të tjerë të Grupit të Kontaktit dhe shpresojmë që të bëjmë përparim përmes këtij lloji dialogu dhe negociatash gjatë vitit të ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të luajnë një rol të rëndësishëm në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës. A mund të na thoni më konkretisht se cili do të jetë ky rol dhe a kanë vendosur Shtetet e Bashkuara se në çfarë niveli do të përfaqësohen gjatë këtyre negociatave?

Kurt Volker: Që në fillim dhe në mes të viteve 1990, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Ballkan dhe ne e pranojmë që e kemi marrë këtë rol dhe nuk do të tërhiqemi dhe duam që të japin kontributin tonë që të arrihet në një zgjidhje. Por protagonistët kryesorë në këtë proces janë shqiptarët, serbët si në Kosovë ashtu edhe në Beograd, faktorët e tjerë në rajon, Grupi i Kontaktit. Shpresojmë që zgjidhja të jetë një konsensus që të arrihet në një rezultat që të jetë i pranueshëm nga gjithkush në rajon. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë detyrimin që të hedhin ide, të lehtësojnë dialogun dhe të arrijnë të realizojnë zgjidhjet më realiste dhe afatgjatë që të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG