Lidhje

Rohrabacher: Pavarësia e Kosovës e vetmja zgjidhje e drejtë për statusin e saj përfundimtar


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Dana Rohrabacher, republikan nga shteti i Kalifornisë, thotë se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje e drejtë për statusin e saj përfundimtar. Zoti Rohrabacher thekson se 10 përqind e popullatës së Kosovës që përbëhet nga sërbët, nuk duhet të presi që t’i diktojë politikën e vet 90 përqind të popullatës, me përjashtim të kërkesave për respektimin e të drejtave të tyre.

Zëri i Amerikës: Ju bëtë një vizitë në rajonin e Ballkanit kohët e fundit. Çfarë ju nxiti për të shkuar në atë rajon?

Dana Rohrabacher: Shumë amerikanë nuk e dinë se Shtetet e Bashkuara ende po shpenzojmë qindra miliona dollarë në vit për të mbajtur 18 mijë trupa në Kosovë dhe duket se ne duhet të përqendrohemi në këtë çështje dhe t’i japim fund gjendjes pas gjithë kësaj kohe qendrimi atje. Shkova atje për t’u siguruar që t’i kuptoj mirë gjërat dhe për t’u takuar me lojtarët për të parë se cilat janë opcionet tona dhe si të shkëputemi prej andej dhe t’i lëmë njerëzit të vazhdojnë jetën normalisht.

Zëri i Amerikës: Ju keni qënë një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës. Përse?

Dana Rohrabacher: E vetmja zgjidhje që dëshirohet nga popullata në Kosovë është pavarësia. Zgjidhja nuk mund t’u detyrohet atyre nga larg, nga kompromiset që bëhen mes qeverive. Zgjidhjet me të vërtetë të qendrushme e që kanë kuptim janë zgjidhjet që përfshijnë pjesëmarrjen dhe reflektojnë vullnetin e popullit. Dhe këto janë pikërisht normat e demokracisë. Themeluesit e Shteteve të Bashkuara na i kanë mësuar këtë parim. Besoj se 90 përqind e popullit të Kosovës do që të jetë i lirë dhe i pavarur. Kjo është zgjidhja. Populli i Kosovës, jo vetëm që duhet të jetë i lirë dhe i pavarur, por duhet lejuar të kontrollojë jetën dhe të krijojë vendin e vet.

Zëri i Amerikës: Kongresmen, administrata e tanishme amerikane ka deklaruar se statuskuoja nuk mund të vazhdojë, por ajo nuk ka ofruar ndonjë alternativë të qartë se cili do të ishte statusi i Kosovës. A mendoni se një deklaratë publike do të ishte e nevojshme?

Dana Rohrabacher: E nevojshme është që popullit të Kosovës t’i jepet mundësia të thotë vetë se çfarë dëshiron, dhe kjo të vendoset me referendum. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se statuskuoja e tanishme e statusit të pazgjidhur të Kosovës nuk është e pranueshme. Cila pra do të jetë zgjidhja apo alternativa? Për këtë duhet pyetur populli i Kosovës dhe duhet respektuar vendimi i tij. Në qoftë se ai do që të jetë i lirë dhe i pavarur dhe i angazhuar për të respektuar të drejtat e pakicave, duke përfshirë edhe ato sërbe, ai duhet të jetë i lirë dhe i pavarur. Kjo është e vetmja zgjidhje. Populli i Kosovës është ai që duhet ta vendosë atë zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Shumë analistë besojnë se raporti i të dërgurit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë për vlerësimin e standardeve, Kai Eide, do të jetë pozitiv dhe negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës do të fillojnë. Duke patur parasysh se shqiptarët dhe sërbët kanë qendrime diametralisht të kundërta lidhur me statusin përfundimtar, sa mendoni ju se do të zgjasnin këto negociata?

Dana Rohrabacher: Negociatat mund të zgjasin pafundësisht, përsa kohë që ne përballojmë shpenzimet. Zgjidhja nuk është bisedime dhe gjithnjë bisedime. Zgjidhja është që popullit të Kosovës t’i jepet mundësia për të marrë vendimin për statusin përfundimtar dhe jo një grupi të huaj burokratësh që bisedojnë me njeri-tjertin. Për sa u përket sërbëve të Kosovës, të drejtat e tyre duhet të respektohen patjetër. Por në një shoqëri demokratike pakica, që në rastin e sërbëve të Kosovës është vetëm 10 përqind, nuk mund të marrë vendim për gjithë vendin. Sërbët kanë të drejtën të shprehin qendrimet e tyre, ata gëzojnë të drejtën të mos diskriminohen, por ata nuk mund të marrim vendimin se në çfarë drejtimi duhet të shkojë vendi. Sërbët që jetojnë në Kosovë duhet të vendosin se çfarë duan. Ata mund të jetojnë si pakicë në Kosovë dhe gjithkush do të kërkonte që të drejtat e tyre të respektohen, por ata duhet të pranojnë vendimin e shumicës, ose të shkojnë në Sërbi, në qoftë se duan të jetojnë mes sërbëve. Këto janë të vetmet alternativa. Alternativa nuk është që 10 përqind e popullatës t’i diktojë 90 përqind të popullatës se cilat do të jenë politikat e vendit. Kjo nuk është as demokratike dhe as e drejtë. Të gjithë kosovarët me të cilët unë kam biseduar më kanë thënë se janë të angazhuar të respektojnë të gjitha të drejtat e pakicave, qofshin ato sërbe apo të tjera. Sërbët nuk duhet të presin që t’i diktojnë politikën e tyre 90 përqind të popullatës, me përjashtim të kërkesave për respektimin e të drejtave të tyre.

XS
SM
MD
LG