Lidhje

Banorët në Teksas dhe Luiziana në pritje të uraganit Rita


Banorët përgjatë bregdetit amerikan të Gjirit të Meksikës po përgatiten për urganin Rita - stuhia e dytë e fuqishme që godit këtë zonë që nga muaji i kaluar. Në New Orleans, rritja e nivelit të ujit ka kapërcyer një digë dhe po derdhet përsëri në pjesë të qytetit të shkatërruar. Rita është tashmë uragan i shkallës së katërt, ndërkohë që po sulmon me tërbim brigjet e Gjirit të Meksikës duke bartur me vete shira të rrëmbyeshëm dhe erëra deri në 225 kilometra në orë.

Parashikuesit e motit thonë se, edhe pse kjo stuhi mund të dobësohet disi, prapë ajo do të godasë me forcë. “Do të kemi dallgë të larta nga 4 e gjysëm deri në 6 metra dhe erëra mbi 160 kilometra në orë. Është stuhi e fuqishme, thotë ky parashikues moti, dhe erërat e forta të uraganit shkojnë deri në 130 kilometra nga qendra”.

Uragani Rita pritet të godasë kontinentin në orët e para të ditës së nesërme dhe kjo ka shkaktuar një evakuim masiv dhe të rrëmujshëm përgjatë rrugëve që të nxjerrin nga Galveston dhe Houston të Teksasit.

Gjatë evakuimit ndodhi sot një tragjedi, kur një autobus me 45 të moshuar mori flakë në një autostradë kryesore të Dallasit. Zyrtarët druhen se gjysma e pasagjerëve mund të kenë vdekur. Bllokimet e trafikit përreth Houstnoit u lehtësuan sot, por përësri ka probleme. Ky burrë dhe familja e tij u nuk duruan më dhe u kthyen në shtëpi. “Qendruam në autostradë për 12 orë. Kur e pamë sepo na mbarohej karburanti, menduam se stuhisë nuk mund t’i shpëtonim dhe se më mirë të ktheheshim në shtëpi”.

Një grua thotë se autostradat nga kishte kaluar janë kthyer në parkingje gjigande. “Të gjithë jemi përpjekur të ndjekim udhëzimet e zyrtarëve. Kemi parë njerëz që po flinin nën qiell të hapur mbrëmë buzë autostradave. Kishin ngritur tendat pasi nuk kishin nga të shkonin. Shumëkujt po i mbarohej karburanti”.

Në të vërtetë, zyrtarë vendorë në Houston po u kërkojnë banorëve të mos lëvizin, nëse deri tani nuk kanë filluar evakuimin. Gjykatësi Robert Eckels është zyrtar i lartë në zonat përreth Houstonit. “Stuhia nuk e ka humbur ende fuqinë, por për shumicën e banorëve në këtë komunitet është më mirë të qendrojnë në shtëpi dhe të mos largohen kur arrihet në këtë pikë”.

Disa banorëve e kanë ndjekur tashmë këtë këshillë. Zyrtarë të të gjitha niveleve pohojnë me forcë se janë më të përgatitur për përballimin e urgaganit Rita se sa në rastin e uraganit Katrina që shkatërroi pjesë të Luizjanës, Misisipit dhe Alabamës vetëm para pak javësh.

Presidenti Bush do të shkojë sot më vonë në Teksas për të parë nga afër masat e marra. Njoftimet paralajmëruese për stuhi tropikale janë dhënë tashmë për qytetin New Orlins, i cili vazhdon të vuajë nga pasojat e uraganit Katrina. Zyrtarë të Forcave të Xhenios thonë se uji po kapërcen përsëri një digë dhe ka filluar të përmbytë një nga zonat e ulëta të qytetit.

Zyrtarët thonë se kanë dërguar një ekip në terren dhe se po përpiqen të pengojnë ujrat, niveli i të cilave po ngrihet, por thonë se diga vetë vazhdon të mbahet. Për ditë me radhë xhenierët janë përpjekur të meremetojnë sistemin e dëmtuar të digave për të penguar një përmbytje tjetër.

XS
SM
MD
LG