Lidhje

Majko: Rikthimi i Nanos do të ishte dënim për të zhbërë ato që ka bërë keq


Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko thotë se rikthimi i ish-kryetarit të kësaj force në jetën politike do të ishte një dënim për të “zhbërë ato që ka bërë keq”. Ish-kryeministri Majko në një intervistë me Zërin e Amerikës, la të kuptohej se Edi Rama, kandidati për kreun e PS-së, është një njeri që kjo parti e ka afruar, por jo i dalë nga gjiri i saj dhe se partia nuk mund të marrë pamjen e një trusti.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, a ishte vendimi juaj për të mos rikandiduar, rezultat i një reflektimi për rolin tuaj në Partinë Socialiste, apo i detyruar nga fakti që zoti Nano mund të hyjë në garë?

Pandeli Majko: Për gjërat që kanë të bëjnë me mua, sigurisht që vendimet më takojnë mua dhe për ato që kanë të bëjnë me zotin Nano, vendimet i takojnë zotit Nano. Dje unë dola në një intervistë për të thënë ato që më takonin mua lidhur me hamendjet e shtypit, lidhur me kandidimin tim për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Ajo që më ka shqetësuar gjithmonë, është se nuk duhet të orientohemi nga ideja e krijimit të posteve, apo liderëve artificialë, por duhet të shfaqemi, apo të orientohemi drejt gjërave të cilat janë të vërteta. Sipas meje pavarësisht problematikës, të cilën tani pas zgjedhjeve ne jemi duke e zhvilluar brenda Partisë Socialiste dhe që me siguri do të vazhdojë të thellohet, Nano ngel pa diskutim një nga politikanët e evidentuar të Partisë Socialiste me të mirat dhe të metat e veta. Por të mirat dhe metat e veta, ai nuk duhet t’i ketë të izoluara. Ato janë ulur, shfrytëzuar, llogaritur, stërllogaritur brenda një komuniteti që quhet Parti Socialiste. Kështu që po e përsëris, ajo që unë thashë dje, përsa i përket vetes sime, është vendimi im, përsa i përket zotit Nano, i takon zotit Nano.

Zëri i Amerikës: Ky vendim që morët ju sa i lidhur është me rrethanat, pra sa i hapur është për ndryshim në varësi të veprimeve dhe protagonistëve të tjerë në Partinë Socialiste, përfshirë zotin Nano?

Pandeli Majko: Ajo që unë mendoj praktikisht është që Partia Socialiste ka nevojë për përfshirjen e të gjitha figurave politike. Ajo që më ka shqetësuar për momentin është një lloj heshtjeje. Unë të them të drejtëm kam qenë një nga ata njerëz të cilët kanë menduar se heshtja në një moment të caktuar mund të jetë gjë pozitive për një reflektim, por kur kam menduar se gjërat po precipitonin në drejtim të gabuar, kur pashë se kishte deri edhe shkelje të rregullave elementare të funksionimit të një partie, mendova që ndërhyrja do të ishte me vend. Dhe mbi të gjitha mendova që po identifikohej problematika e zgjidhjes së gjërave në Partinë Socialiste thjesht me një projekt individual, me shpëtimtarin që do të zbriste dhe do të shpëtonte gjithë situatën në Partinë Socialiste. Unë mendoj që ideja e lidhjes së fatit të një partie me një individ të caktuar ka marrë fund. Sigurisht që fati i një partie lidhet shumë me karakterin e individit që e drejton atë. Kjo është e rëndësishme dhe duhet ta përsëris është shumë e rëndësishme. Por po aq i rëndësishëm është edhe ekipi. Unë dje dola kundër projektit të zotit Rama. Mendoj që ky projekt është shumë individual. Është një projekt i një njeriu i cili është evidentuar edhe më parë për aktivitet politik pozitiv, por mbi të gjitha duhet të shprehem që zotin Rama unë e kam parë më tepër si një mik të Partisë Socialiste, sesa si një njeri i cili ka ardhur natyrshëm nga radhët e Partisë Socialiste. Ai më tepër është orientuar, nuk do ta them shfrytëzuar nga Partia Socialiste, por le të themi ka qenë një kandidim i tij nga Partia Socialiste, nuk është se është një hulumtim, një zbulim brenda radhëve të Partisë Socialiste. Ne menduam se me të tillë njerëz ne do të kemi shumë më tepër sukses, por nuk mendoj se do të kemi sukses duke e vënë atë në drejtimin e Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Ju shpreheni kundër idesë që një person mund ta shpëtojë partinë dhe kundër individualizmit duke patur parasysh pikërisht kandidaturën e zotit Rama, por kulti i individit ka ekzistuar edhe më parë në Partinë Socialiste e cila identifikohej me zotin Nano. Ku qëndron ndryshimi sipas jush?

Pandeli Majko: Mendoj se ka një ndryshim. Nëse do të kishim një rikthim të zotit Nano, mendoj që rikthimi i tij do të ishte më shumë një dënim, një dënim për të zhbërë ato që ka bërë keq. Ndërsa tek zoti Rama më tepër shoh një maskim të një situate të caktuar brenda radhëve të Partisë Socialiste. Nuk mendoj se ne mund ta zhvillojmë situatën brenda Partisë Socialiste, duke i dhënë asaj pamjen e një trusti, ku një projekt ose një tjetër mund t’i ndryshojë situatën.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju patët një takim sot edhe me zotin Ilir Meta. A mund të na thoni ju lutem për çfarë biseduat në këtë takim?

Pandeli Majko: Mendoj se ishte një takim kolegësh. Me Ilir Metën unë njihem prej shumë kohësh. Pothuajse një të tretën e jetës të dy e kemi kaluar së bashku në politikë. Pavarësisht se jemi në parti të ndryshme mendoj se tanimë ka ardhur koha që disa akuj të shkrihen midis dy partive tona. Sigurisht takimi ishte midis dy individëve. As ai nuk foli në emër të partisë së vet dhe as unë nuk fola në emër të një politike të caktuar. Por mendoj se ky komunikim ishte mëse i domosdoshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, edhe diçka tjetër: Ju flisni për dënim për zotin Nano. Sipas jush cilat janë të metat e tij?

Pandeli Majko: Do të duhej shumë kohë. Kam përshtypjen së këto gjëra do të vlerësohen shumë shpejt nga vetë ai. Nuk më takon mua të flas në emër të zotit Nano. Mendoj se zoti Nano duhet t’i kundërpërgjigjet kryengritjes së skllevërve.

Zëri i Amerikës: Sa përgjegjësi i atribuoni Partisë Socialiste dhe sa zotit Nano. Ju keni folur për përgjegjësinë e Partisë Socialiste. Si ndahet kjo përgjegjësi për humbjen në zgjedhje?

Zëri i Amerikës: Pa dyshim bashkëfajësia do të jetë e diskutueshme dhe në vazhdim. Jam i bindur që kjo nuk mund të zgjidhet menjëherë, do të duhet një reflektim goxha i gjatë. Jam i bindur që përgjigjen më të mirë për këtë do ta japë vetë Fatos Nano.

XS
SM
MD
LG