Lidhje

Të rejat nga bota e Hollivudit


Ditët e fundit u dhanë çmimet Ikonat e Hollivudit 2005. Një aktore me përvojë, 71-vjeçarja, Shirley MaClaine, bën komente që mund t'u vijnë të hidhura aktoreve të reja. Kameron Diaz shkon në Australi për premierën e filmit të saj të ri "In Her Shoes". Nga bota e muzikës: Mariah Carey kryeson në listen e kandidatëve të emëruar për çmimet e muzikës amerikane.

Çmimet “Ikonat e Hollivudit”

Charlize Theron, Rachel Weisz, Laura Linney dhe legjendarja e Hollivudit Shirley MacLaine u nderuan me çmimet Hollywood Icons 2005, të organizuar këtë javë nga revista Premiere në Beverly Hills. Kjo është ceremonia e 12-të që zhvillohet për të nderuar arritjet e artisteve më të njohura të Hollivudit. Ish-modelja dhe tani aktorja jug-afrikane Charlize Theron, fituese e çmimit Oskar për interpretimin e saj në filmin Monster, ka marrë lavdërime të shumta nga kritika për lojën e saj në filmin e ri North Country. Ajo u nderua me çmimin Hollywood Icon dhe u zgjodh gjithashtu për kopertinën e numrit të fundit të revistës Premiere. Shirley MacLaine, aktorja 71-vjeçare me një karrierë prej 50 vjetësh ishte një tjetër fituese e çmimit Hollywood Icon. Duke iu referuar përvojës së saj të gjatë si aktore, MacLaine bëri një koment që mund t'i vijë i hidhur aktoreve të reja:

“Nuk janë më të mira se aktoret e vjetra. Biles aktoret dikur ishin më të talentuara. Tani filmat bazohen kryesisht tek aksioni, efektet kompjuterike dhe jo loja e vërtetë artistike”.

Një këshillë për ato që aspirojnë t'i futen karrierës së aktorit, ose që kanë filluar por ende nuk kanë marrë emër, ndoshta më së miri e thënë nga aktorja Kate Flynn:

“Të jesh emocionalisht e fortë. Për të tjerat, ashtu si në çdo fushë tjetër: futu me pasion dhe mos lejo pengesat të ndikojnë tek ti emocionalisht. Nëse të pëlqen ajo që bën dhe angazhohesh në të me gjithë shpirt, kaq ka rëndësi”.

Hollivudi është treguar shumë aktiv në kapërcimin e dallimeve gjinore, prandaj edhe është pak për t'u çuditur që organizohet një veprimtari e tillë që veçon arritjet e femrave në industrinë e filmit. Gjithsesi, aktoret e nderuara me këtë çmim nuk duket se u përqëndruan shumë në domethënien sociale të ceremonisë, por shprehën shumë mirënjohje për nderin që u bëhej.

Mariah Carey, kandidatja kryesore për çmimet e muzikës amerikane

Mariah Carey kryesoi në kandidatët e emëruar për çmimet të muzikës amerikane të cilat u njoftuan të martën. Mariah konkuron në katër kategori: në atë të albumit më të mirë të muzikës pop dhe soul dhe atë të interpretueses më të mirë të muzikës pop dhe soul. Konkurentë të fortë për këto çmime janë edhe Kelly Clarkson, 50 Cent dhe Green Day, të cilët kandidojnë në tre kategori. Kandidatët u zgjodhën bazuar në numrin e disqeve që kanë shitur gjatë këtij viti, ndërsa fituesit ndër këta kandidatë do të dalin nga anketimi i rreth 20 mijë dëgjuesve. Ceremonia e 33 vjetore e dhënies së çmimeve të muzikës amerikane do të zhvillohet më 22 nëntor dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv ABC. Preferencat e dëgjuesve mund të ndryshojnë gjatë muajit para ceremonisë, por gjithsesi pritet që Mariah Carey të mos ndahet pa një çmim. Në fund të fundit, albumi i saj The Emancipation of Mimi vazhdon të kryesojë në listat e këngëve më të transmetuara nga radio-stacionet amerikane.

Cameron Diaz dhe Toni Collette, së bashku në filmin “In her shoes”

Kameron Diaz ishte në Australi këtë javë për premierën e filmit të saj të ri In Her Shoes. Diaz ka qenë edhe më parë në këtë vend, ku biles edhe ka jetuar disa kohë kur punonte si modele para se të fillonte karrierën e aktores. Këtë herë ajo ndodhej në Melbourne e shoqëruar nga aktorja australiane Toni Collette, me të cilën luan në filmin e ri, një komedi për dy motra që s'kanë asgjë të përbashkët përveç këpucëve që veshin në numër 38. Maggie, e luajtur nga Kameron Diaz, është një vajzë e dhënë pas qejfeve, që vlerëson si pikën e saj më të fortë aftësinë që ka për të tërhequr meshkujt. Jeta e saj e shfrenuar bëhen shkas që ajo të përfundojë e pastrehë, në mëshirë të miqve dhe të njohurve të ndryshëm. E motra e saj Rose, e luajtur nga Toni Collette, është diplomuar në universitetin prestigjioz Princeton dhe është shumë-ambicioze dhe tepër e organizuar, por nuk gëzon asnjë nga aftësitë sociale të motrës së vet më të çlirët. Pas peripecish që dy vajzat ndeshin në jetën e tyre, ato fitojnë një dashuri dhe mirënjohje të re për njëra-tjetrën. Një përfundim klishe hollivudian, por gjithsesi një komedi e pëlqyeshme.

XS
SM
MD
LG