Lidhje

Uragani vë në alarm përsëri industrinë e naftës


Ashtu si edhe me uraganin Katrina, shqetësimi për uraganin Rita nuk ka të bëjë vetëm me dëmet që mund t’u shkaktojë shtëpive dhe bizneseve. Industria amerikane e naftës po përgatitet t’u bëjë ballë ndërprerjeve të mundshme të punës në rafineritë e zonës që do të preket. Pjesa e Gjirit në bregun e Teksasit është një nga qendrat kryesore për prodhimin e naftës në Shtetet e Bashkuara.

Rreth një e katërta e naftës dhe gazit natyror që prodhohet në Shtetet e Bashkuara vjen nga Gjiri i Meksikës, një zonë ku ndodhen rreth një e treta e rafinerive të vendit që kthejnë naftën në karburant dhe produkte të tjera.

Zona përgjatë Gjirit të Teksasit ku është vendosur numri më i madh i këtyre rafinerive mund të dëmtohet nga uragani Rita. Por zyrtari i Departamentit të Energjisë Howard Gruenspecht thotë se është e vështirë të llogaritet sesa dëme do të shkaktojë stuhia.

“Shqetësimi është se mos pësojnë dëme të përhershme dhe shumë gjëra do të varen nga fakti se ku do të godasë stuhia dhe nga vendndodhja e rafinerive. Në rastin e Katrinës, katër rafineri pësuan dëme të konsiderueshme dhe do të duhen nga një në dy ose tre muaj për t’u riparuar. Në zonën e Teksasit ka objekte të tjera që mund të bëjnë përpunimin, por do të ishte një spekullim të thuhej se çfarë problemesh mund të hasnin”.

Nuk janë vetëm rafineritë të rrezikuara, por edhe sonda nafte të vendosura në oqean, nga të cilat ka qindra në brigjet e Teksasit. 40 sonda të tilla u dëmtuan kur uragani Katrina përshkoi gjirin dhe goditi Luizianën dhe Misisipin.

Rrezik paraqitet edhe për prodhimin e gazit natyror. Një sasi e konsiderueshme gazi natyror prodhohet në zonën e Teksasit dhe zoti Gruenspecht thotë se do të ishte e vështirë të zëvendësohej.

“Prodhimet e naftës mund të sillen nga Evropa dhe pas Katrinës u sollën sasi të mëdha prej andej. Ka një kapacitet të kufizuar për të sjellë gaz natyror të lëngshëm, por mundësitë për rritjen e importeve, si përqindje e tregut, janë ndoshta më të vogla sesa në rastin e naftës. Kështu që gazi natyror dhe çmimi i gazit për ngrohje mendoj se do të përbënin shkak për shqetësim nëse çmimet e gazit natyror rriten në mënyrë të konsiderueshme”.

Por është ndikimi i mundshëm tek çmimet e benzinës që shqetëson pjesën më të madhe të amerikanëve. Kur goditi Katrina, çmimet e benzinës u rritën mesatarisht me mbi 18 për qind brenda pak ditësh. Disa analistë besojnë se nëse Rita shkakton dëme të mëdha, çmimet mund të rriten deri me 50 për qind.

Denise McCourt e Institutit Amerikan të Naftës, që përfaqëson 400 kompani energjitike thotë se uraganët po rëndojnë situatën ndërkohë që edhe pa to rezervat globale të naftës janë të kufizuara. Kjo krijon spekullime në tregje.

“Para uraganëve, ne diskutonim për Indinë dhe Kinën dhe kërkesat e mëdha të tyre për rezervat globale. Kjo është një industri globale dhe sa herë që ndodh ndonjë gjë e tillë në botë, ka ndikim në bursën e Nju Jorkut. Në bazë të këtyre ndryshimeve kjo bursë mendon për çmimin e një fuçie nafte. Kjo është arsyeja që çmimi i fuçive të naftës ka mbetur rreth 60 dollarë, për shkak të shqetësimit për rezervat botërore”.

Rafineritë janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të mund t’u rezistojnë erërave të forta, por jo përmbytjeve, veçanërisht atyre të shkaktuara nga uraganët. Të gjitha rafineritë që u mbyllën për shkak të Katrinës, u dëmtuan nga ngritja e nivelit të ujit. Tani ekziston shqetësimi se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në pjesën e Gjirit në brigjet e Teksasit, duke shkaktuar edhe më shumë dëme për Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG