Lidhje

“Banka e Shqipërisë është institucion i përgjegjshëm dhe i pavarur”

  • Rudina Dervishi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Ardian Fullani, po merr pjesë në takimin vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar të shtunën dhe të djelën në Uashington. Po në Uashinhgton, Banka Qendrore e Shqipërisë nënshkroi të premten një projekt me Bankën Botërore për administrimin e rezervave valutore. Guvernatori Fullani tha se ky projekti do të rrisë aftësinë manaxhuese dhe do të ngrejë nivelin profesional të veprimtarisë valutore të institucionit që drejton. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Fullani theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me Ministrinë e Financave për krijimin e instrumentave për manaxhimin e borxhit të brendshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Fullani, ju nënshkruat projektin me bankën Botërore për administrimin e rezervave valutore. Çfarë do të përfitojë Shqipëria nga ky projekt?

Ardian Fullani: Ky program është në vizionin tim për Bankën Qendrore. Për këtë, dua sinqerisht të falenderoj Bankën Botërore, e cila na ndenji afër dhe bashkëpunuam për rreth tetë muaj për të realizuar këtë marrëveshje që u nënshkrua sot (e premte). Ka një rëndësi jo vetëm për bashkëpunimin dypalësh, që gjithmonë ka qenë i shkëlqyer me Bankën Botërore edhe për projekte të tjera që kemi bërë, si projekti i pagesave me vlerë të madhe, i kleringut, i pagesave të vogla, i cili u përfundua tashmë, dhe do të jetë një bazë mjaft e mirë për pagesat e “utilities” nëpërmjet bankave dhe, padyshim, nëpërmjet kartave të kreditit dhe do t’i japi një nxitje mjaft të madhe sistemit të pagesave dhe njëkohësisht uljes (së nivelit të qarkullimit të “cash”-it) në ekonomi dhe luftës kundër përmasave të ekonomisë formale dhe kjo marrëveshje do të bëjë që Shqipëria në dy deri në tre vjet të përfitojë jo vetëm menaxhimin e asaj pjese që menaxhohet ndërmjet rezerva ndërmjet Bankës Botërore, por që ne të arrijmë që mbas dy-tre vjetësh, me mbarimin e projektit, të jemi të aftë teknikisht, administrativisht, për të menaxhuar vetë nën principet bashkëkohore rezervën tonë valutore.

Zëri i Amerikës: Deficiti buxhetor mbetet problematik për financat shqiptare. Qeveria mori vendimin para disa ditësh për të përgjysmuar taksat e biznesit të vogël. A është konsultuar qeveria shqiptare me institucionet ndërkombëtare dhe me institucionin tuaj për një vendim të tillë dhe si do të ndikojë ai në deficitin buxhetor të Shqipërisë?

Ardian Fullani: Shqipëria është në programin e Fondit Monetar dhe ne jemi këtu (në Uashington) për të diskutuar, së bashku me Ministrin e Financave, të gjithë problemet që lidhen me politikën fiskale dhe poliitkën monetare të bankës së Shqipërisë. Natyrisht iniciativa e re do të merret mjaft parasysh në programin e ri të cilin do të kemi të bëjmë me Fondin Monetar dhe njëkohësisht do të bëhen të gjithë kalkulimet e mundshme për buxhetin e vitit tjetër. E rëndësishmja është që Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë duhet të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre për krijimin e një instrumenti ose instrumentash të rinj për menaxhimin e borxhit të brendshëm. Qeveria, për vendimet që merr, ka një rrjet të gjerë konsultimi dhe të gjitha këto efektet (e pritshme) do të jenë objekt diskutimi këtu me (Bankën Botërore) në mënyrë që ne të kemi një përgatitje sa më të mirë për buxhetin e ardhshmëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Fullani, shtypi shqiptar ditët e fundit ka botuar shkrime skeptike për nivelin e lartë të normave të interesit të bonove të thesarit. Si lidhet ky shqetësim me iniciativën tuaj për të liberalizuar tregun e bonove të thesarit për bankat e nivelit të dytë?

Ardian Fullani: Mesazhi që ne japim, dhe kjo u duk qartë në deklaratën e Bankës së Shqipërisë ditë më parë, është që duhet të kuptojmë të gjithë që tashmë kemi një treg privat, se atë që kemi shpresuar me kohë, tashmë e kemi. E kam thënë që në ditët e para të ardhjes sime si guvernator se 2005-a dhe më tej do të jetë ndryshe nga 2004-a, sepse kemi një treg ndryshe. Kemi të paktën 60 përqind të një tregu shtetëror, siç ishte Banka e Kursimeve, tashmë të privatizuar. Kemi një bankë me një sjellje private, e cila, mbi të gjitha, ka parimet e saj të konsolidimit dhe të arritjes së rezultateve sa më të mira financiare.

Zëri i Amerikës: A ka ndikuar në punën tuaj, si institucion i pavarur, ndryshimi i mazhorancës dhe i ministrave të sektorit të ekonomisë?

Ardian Fullani: Unë mendoj se Banka e Shqipësirë është një institucion i konsoliduar, i pavarur dhe i përgjegjshëm dhe, mbi të gjitha, vigjilent. E them vigjilent, për kujdesin që ne tregojmë për tregun. Në qoftë se ka rritje të “yield”-eve të bonove, kjo tregon që tregu po sillet siç duhet të sillet në mënyrë private. Në qoftë se ka “distortions”, në qoftë se ka manipulime, në qoftë se ka shpërpjestime përsa i përket rolit monopol ose konkurrencës, këto janë probleme që ne duhet t’i shohim me mjaft kujdes dhe të cilat po i ndjekim. Banka Qendrore është me ligj një institucion i pavarur i mirorganizuar dhe me objektiv kryesor ruajtjen e qendrueshmërisë së çmimeve. Ndryshimet janë parë gjithmonë në kuadrin e bashkëpunimit, koncept i cili është i imi dhe njëkohësisht i institucionit që unë përfaqësoj; koncepti i bashkëpunimit është një koncept mjaft i rëndësishëm, themelor për Bankën Qendrore, është një koncept modern. Duke qenë një institucion i pavarur, njëkohësisht duhet të jesh një institucion i përgjegjshëm dhe bashkëpunues me qeverinë, me ministrinë e financave, me ministrinë e ekonomisë dhe minsitritë e tjera në mënyrë që të arrish qëllimin kryesor qendrueshmërinë makroekonomike dhe financiare. //az//

XS
SM
MD
LG