Lidhje

Irak: Dhjetëra të vdekur nga një numër incidentesh me dhunë


Në Irak persona të armatosur rrëmbyen të dielën një automjet në kryeqytet, vranë dy roje dhe u larguan me një shumë prej 850 mijë dollarësh. Disa orë më parë, një person kreu një sulm vetëvrasës nga i cili u godit një autokolonë ku ndodhej një njësi elitë e policisë irakiane. Të paktën 9 vetë u vranë, shumica e tyre komando kundër terrorizmit, ndërsa 50 persona të tjerë u plagosën.

Në jug të vendit, një person me biçikletë aktivizoi lëndë plasëse në qytetin Musajib, duke shkaktuar vdekjen e 6 personave dhe plagosjen e afro 20 të tjerëve. Po të dielën më herët, të paktën 2 persona u vranë dhe rreth 50 të tjerë u plagosën nga një shpërthim tjetër në qytetin Hilla.

Në zhvillime të tjera, zyrtarët amerikanë thonë se të paktën 8 ekstremistë besnikë të klerikut Moktada al-Sadr u vranë, në luftime me trupat amerikane në Bagdat.

XS
SM
MD
LG