Lidhje

Shqiptarët e Amerikës kremtuan 600 vjetorin e lindjes se heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.


Mbrëmë në Nju Roshell të Nju Jorkut shqiptarët e Amerikës kremtuan 600 vjetorin e lindjes se heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Kjo mbrëmje, në të cilën u mblodhën rreth 500 veta u organizua nga kisha katolike shqiptare amerikane Zoja e Shkodrës dhe hap një seri veprimtarish të planifikuara për t'u zhvilluar këte vit në kuadër të 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Dom Pjeter Popaj, famullitar i kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork thotë se të pakët janë udhëheqësit e lëvizjeve çlirimtare të 6 shekujve të fundit që kanë merituar të zenë vend si në historië shqiptare edhe atë botërore. Një nga këto figura është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi i njëzëshëm kombëtar shqiptar

Por kur flitet për Skënderbeun, nuk ka si të mos përmendet biografi i tij i parë, Marin Barleti, prift katolik, studiues e historian. Disa studiues kanë shprehur mendimin se pa biografinë e heroit, vepër e Barletit, emri dhe fama e Skënderbeut ndoshta do të ishin harruar. Historiografët thonë se qindra libra të shkruara deri me sot rreth heroit kombëtar shqiptar kane kryesisht një pikë të përbashkët referimi. atë të librit të shkruar nga Marin Barleti në shekullin e 15-të, pak vite pas vdekjes së Skënderbeut. Por studiuesi Robert Austin nga Kanadaja thotë se Skënderbeu si strateg e udhëheqës ndikoi ne historinë e mbarë Evropës dhe herët e vonë merita e tij si mbrojtës i qytetërimit perëndimor do të kishte dalë në dritë.

Nju Jorku është shteti amerikan me popullsinë më të madhe shqiptare. Ata përbëjnë ndoshta komunitetin me aktiv në këtë shtet e në mbarë Amerikën përsa i përket çeshtjeve kombëtare. Nisma janë ndërmarrë që vitin e ardhshëm shqiptarët në Nju Jork të organizojnë paradën e parë vjetore, ashtu si ajo e irlandezo-amerikanëve në ditën e shën Patrikut. Por megjithë miqtë e shumtë e me ndikim që shqiptarët kanë në sferat e larta shtetërore e politike amerikane, në Shtete e Bashkuara ende nuk ka një përmendore të heroit Gjergj Kastrioti dhe ndoshta nuk ka asnjë rrugë, shesh apo park publik që të mbajë emrin e tij. Analisti Austin thote: "Kjo mund të arrihet vetëm me nismën dhe këmbënguljen e shqiptarëve Është një ide e shkëlqyer që shqiptarët e Amerikës veriore t'i ngrenë një monument heroit të tyre sepse është për t'u theksur se Skënderbu është hero i shqiptarëve por edhe i Ballkanit dhe Evropës. sepse me qëndresën dhe luftën e tij ai ndikoi në mbarë historinë botërore. Gjate të paktën 10-20 vjetëve të fundit lobi shqiptar ne Amerika ka qendë dhe vazhdon te jetë kryesisht një lob politik. Tani që gjendja politike në Shqipëri është përmirësuar dhe pavarësia e Kosovës është vetëm çështje kohe, shqiptaro amerikanët duhet të përqëndrohen në aspektin kulturor. Kjo tregon se komunitetit shqiptar në Amerikën veriore i mbetet shumë për të bëre", thotë studiuesi kanadez Robert Austin.

Deri tani shqiptarët dhe bota njohin vetëm një film artistik kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, atë të prodhimit të përbashkët shqiptaro-sovjetik në vitin 1953. Prandaj një lob kulturor mendohet se do të zgjonte interesimin e regjisorëve, skenaristëve dhe aktorëve amerikane për një film epik mbi Skënderbeun. Shkrimtari Naum Prifti thotë se kjo nuk është e pamundur dhe suksesi i një nisme të tillë do të varej vetëm nga këmbengulja e komunitetit shqiptar.

Shkrimtari Naum Prifti me banim në Nju Jork thotë se që nga mbërritja e shqiptarit të parë në Amerikë dhe që nga koha kur poeti Longfello i solli ne vargje publikut amerikan heroizmat e Skënderbeut, kane kaluar rreth 150 vjet. “Gjithashtu me punen e tij komuniteti shqiptaro amerikan ka krijuar prej kohësh emrin e mirë si një komunitet i ndershëm e punëtor, prandaj duket se ka ardhur koha që ata të kerkojne që emri i heroit të tyre kombëtar të zerë vendin e merituar krahas heronjeve të kombeve të tjerë që kanë komunitetet e tyre në Amerike”, thotë shkrimtari Prifti.

Pra duket se përkujtimi i 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut sjell me vete edhe një tjetër sfidë të vështirë për shqiptarët e Amerikes, që krahas mbarëvajtjes së lobit politik në Washington të hapin edhe një front të dyte lobist këtë herë në Hollivood, për të çuar përpara e bërë të njohur çështjen e tyre kombëtare edhe ne aspektin kulturor e historik.

XS
SM
MD
LG