Lidhje

USAID: Kosova, potencial i madh ekonomik


Zyra e agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, në Kosovë, mendon se Kosova ka një potencial shumë të madh mbijetese ekonomike në të ardhmen, pavarësisht nga statusi i ardhshëm i saj. Drejtori i kësaj zyre në Prishtinë, Ken Jamashita, thotë se sektori ekonomik në Kosovë mund të jetë konkurues, por po kështu, është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë institucione të mira, gjyqësi të pavarur, dhe një sistem të fortë gjyqësor.

Zëri i Amerikës: Zoti Jamashita, zyra juaj ka projekte të ndryshme këtu, cilat janë projektet më të rëndësishme me të cilat po punoni tani?

Ken Jamashita: Kemi projekte të ndryshme, dy më të rëndësishmet tani janë rritja ekonomike dhe qeverisja e mirë, demokracia dhe qeverisja. Për rritjen ekonomike po punojmë më shumë me makroekonominë, përmirësimi i administratës së taksave, forcimi i Ministrisë së Financave. Po punojmë edhe për zhvillimin e bizneseve të vogla, veçanërisht në bujqësi, për të përmirësuar konkurencën dhe prodhimin. Në projektin për qeverisje po punojmë për kalimin e Ministrisë së Drejtësisë që duhet të bëhet në nëntor. Po punojmë edhe për qeverisjen lokale me komunat për të ndërtuar kapacitetet e tyre. Kemi programe më të vogla për zgjidhjen e konflikteve, që mendojmë se janë thelbësore që Kosova të jetë paqësore dhe e qëndrueshme për të gjithë banorët e saj.

Zëri i Amerikës: Kur flitet për statusin e ardhshëm përfundimtar të Kosovës, gjithmonë ngrihet çështja nëse Kosova ka potencial për të mbijetuar si një shtet i pavarur? Cili është mendimi juaj?

Ken Jamashita: Pa paragjykuar çfarë statusi do të ketë Kosova në të ardhmen, në kuptimin e potencialit të saj ekonomik dhe të ligjit e rendit, do të thosha se Kosova ka një potencial shumë të madh. Nga ana ekonomike, ka një sektor ekonomik, shumë, shumë të mirë, dhe disa industri të vogla të mira. Mund të jetë konkuruese, ka një mundësi vërtetë të mirë për të ardhmen. Gjithesesi, është shumë e rëndësishme për anën tjetër të medaljes, qeverisjen e mirë, që të jetë e themeluar mirë. Duhen institucione të mira, gjyqësi e pavarur, dhe një sistem i fortë gjyqësor në mënyrë që kontratat të mund të zbatohen, në mënyrë që ligji, rendi dhe transparenca të arrihen plotësisht.

Zëri i Amerikës: Ju keni punuar këtu 6 vjet, cila është sasia e parave që është investuar dhe a ia vlente?

Ken Jamashita: Definitivisht ka qenë një investim që ia ka vlejtur. Vitet e para, menjëherë pas konfliktit, buxheti ynë ishte rreth 100 milion dollarë, është ulur tani në rreth 30 milion dollarë amerikanë, por ky zvogëlim nuk do të thotë se përparësia jonë është zbehur. Do të thotë vetëm se lloji i ndihmës ka ndryshuar. Në vitet e para, në dy vitet e para, pjesa më e madhe e ndihmës sonë ka qenë në reahabilitim dhe rindërtim, pas dëmeve të luftës. Tani po përqëndrohemi në ndërtimin e institucioneve dhe kapaciteteve të institucioneve. Besojmë se vërtetë ia ka vlejtur.

Zëri i Amerikës: Si e shihni Kosovën si pjesë të rajonit politikisht, ekonomikisht, nga pikëpamja sociale? Çfarë mund të ofrojë Kosova si pjesë e rajonit dhe si pjesë e Evropës?

Ken Jamashita: Kosova si pjesë e rajonit dhe si pjesë e Evropës, nga pikëpamja politike, ekonomike, sociale, ka dy milion njerëz, gjeografia e saj është relativisht e vogël, ka mundësi të integrohet dhe të punojë mirë me fqinjët e saj. Nga pikëpamja rajonale, me Euron, Kosova nuk do të mund të mbijetojë vetë. Kosovarët e kuptojnë këtë dhe gjithë koncepti i integrimit është vërtetë një hap kritik drejt kësaj.

XS
SM
MD
LG