Lidhje

Presidenti Bush ofron rezervat e emergjencës për naftë ndaj mungesave të shkaktuara nga uragani Rita


Presidenti Bush thotë se është i gatshëm të hapë rezervat e emergjencës së vendit me naftë për të zëvendësuar mungesat e reja të naftës, që u shkaktuan nga uraganet në brigjet amerikane të Gjirit të Meksikës. Presidenti Bush ka në plan gjithashtu të vizitojë përsëri nesër rajonet e shkatërruara nga stuhia.

Të dy stuhitë goditën zemrën e industrisë së naftës të Amerikës, pikërisht zonën ku gjenden një numër platformash dhe rafinerish të naftës. Shenjat e para tregojnë se dëmet e shkaktuara nga uragani Rita, që e goditi rajonin të shtunën, ishin të kufizuara. Megjithatë, presidenti Bush po e paralajmëron publikun amerikan se mund të ketë ndërprerje të përkohëshme energjie: "Një pjesë e madhe e prodhimit të naftës realizohet pikërisht në rajonin e Gjirit dhe kur është fjala për uraganin Katrina, që më pas u pasua nga uragani Rita, fatkeqësisht është e natyrshme që kjo të kishte ndikim tek rezervat e energjisë".

Zoti Bush thotë se kompanitë e naftës po vlerësojnë tani dëmin që i është shkaktuar platformave të naftës. Ai thotë se tubacionet kryesore të naftës nga Gjiri duhet të rifillojnë funksionimin e tyre të plotë deri në fund të javës dhe se shumica e rafinerive do të rikuperohen së shpejti, megjithëse disa prej tyre mund të mos jenë në gjendje pune për rreth një muaj, sa u duhet për t’u riparuar.

Çmimet e naftës nuk pritet të rriten pas uraganit Rita, ashtu sikurse ndodhi në fillim të muajit, kur u ndje ndikimi i plotë i Katrinës në Gjirin e Meksikës. Po ashtu, presidenti është i ndërgjegjshëm për ndjeshmërinë e publikut ndaj çdo rritjeje të konsiderueshme të çmimit të naftës dhe ai po shkon përsëri në rajonet e goditura për të ofruar siguri.

Në se është e rëndësishme, thotë ai, qeveria do të ndihmojë për t’i mbuluar mungesat në energji, duke siguruar naftë nga rezervat e veta të emergjencës: "Është e nevojshme që njerëzit të dinë se ne e kuptojmë gjendjen dhe se do t’i përdorim Rezervat Stategjike të Naftës, për të zëvendësuar çdo mungesë në naftë bruto që mund të ketë ndikim tek konsumatorët". Presidenti i bëri këto komente pasi u informua në një takim në zyrat e Departamentit të Energjisë në Washington.

Duke folur para një grupi të vogël gazetarësh, presidenti Bush tha se stuhitë i treguan popullit amerikan se sa delikat është ekuilibri mes kërkesës dhe ofertës: "Ne të gjithë mund të japim ndihmesën tonë me këtë rast, duke e ruajtur sa më mirë energjinë; njerëzit ndërkohë duhet ta dinë se stuhitë kanë shkaktuar ndërpreje të energjisë dhe në se janë do të ishin në gjendje të mos shkonin në një udhëtim që nuk është i aq nevojshëm, edhe kjo do të ndihmonte".- tha Presidenti.

Presidenti tha se do të shkojë nesër për herë të gjashtë në zonat e goditura nga stuhia. Ai pritet të shkojë në shtetin e tij Teksas dhe të vizitojë rajonin e banuar nga një numër i madh amerikanësh që punojnë në platformat dhe rafineritë e naftës.

XS
SM
MD
LG