Lidhje

Doganat kërkojnë nga bizneset që të shlyejnë mbi 25 milionë USD borxhe


Doganat shqiptare u kanë vënë një afat njëjavor të gjitha firmave tregtare e prodhuese për të paguar borxhet e prapambetura gjatë veprimeve në agjencitë doganore, në të kundërt do të fillojë sekuestrimi i mallrave dhe pasurive te tyre.

Sipas Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi, ky borxh shkon në mbi 25 milionë USD, pa përfshirë këtu edhe disa miliona të tjera që janë interesa, gjoba e penalitete për vonesat. Ndërkaq, përfaqësues të biznesit kërkojnë dialog me autoritetet shtetërore për ta zgjidhur problemin me negociata e bashkëpunim.

Doganat shqiptare u kanë bërë thirrje firmave të biznesit që brenda një jave të shlyejnë borxhet që kanë regjistruar prej shumë kohësh pranë agjencive doganore. Drejtori i ri Përgjithshëm i Doganave, Pëparim Dervishi, thotë se zgjidhja e problemit të borxheve doganore është pjesë e një programi dhe strategjie të gjerë për mirëmenaxhimin e doganave. “Kjo strategji synon që në radhë të parë të jetë një thirrje, një ftesë për biznesin, të cilët vetë, pasi ka kaluar një farë kohe, brenda një jave të shikojnë të gjitha mundësitë, të bëjnë përpjekje maksimale që të shlyejnë detyrimet në mënyrë vullnetare. Ndërsa në të ardhmen alternativa jonë për borxhet do të jetë zero. Ne nuk do të lejojmë më që të krijohen borxhe dhe deficite në sistemin e doganave, sepse ato e rëndojnë doganën dhe nuk i shërbejnë as vetë biznesit” - tha zoti Dervishi.

Zoti Dervishi thotë se bizneset do të trajtohen në mënyrë të barabartë, ndërsa pas një jave të shlyerjes vullnetare, thotë ai, do të fillojnë edhe masat detyruese. “Në rast të kundërt, e sidomos kur disa subjekte do të mundohen t’i shmangen me qëllim këtij borxhi, atëherë do të përdoren mekanizma detyrues. Ky borxh do të kompensohet nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të pasurive të patundshme apo të tundshme që zotërojnë këto subjekte private që zhvillojnë biznes në territorin e vendit tonë” - tha zoti Dervishi. Ndërsa përfaqësues të bizneseve shprehin shqetësim për masat e forta, sipas tyre, që u morën menjëherë ditët e fundit pa u negociuar me firmat.

Drejtuesi i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, thotë se duhet një bashkëpunim me biznesin, dhe jo bllokime të mallrave në porte, si ato të ditëve të fundit, që çrregullojnë tregun, punësimin dhe humbje shtesë për firmat. “Ne jemi të mendimit që nëse dogana ka faj, ajo duhet të na zhdëmtojë, dhe nëse biznesi ka faj, ai duhet të përgjigjet. Arbitrariteti nuk do të na çojë larg, por do të na çojë në konflikt mes biznesit dhe organeve shtetërore. Mua mu duk i arësyeshëm qëndrimi i zotit Përparim Dervishi për t’i lënë një kohë biznesit për të reflektuar. Kjo kohë shpresoj se do t’u japë mundësi të dy grupeve; edhe atyre firmave që duhet të paguajnë menjëherë, edhe atyre që duhet të paguajnë në një proces më të gjatë, ndoshta pas ndonjë vendimi gjykate” - tha zoti Rrapaj.

Zoti Rrapaj thotë se drejtuesit e rinj të ekonomisë dhe financave shtetërore duhet të mblidhen e të diskutojnë me përfaqësues të qarqeve të biznesit për problemet e kësaj fushe. “Ne kemi kërkuar të ballafaqohemi me ta dhe i kemi bërë thirrje ministrit të ekonomisë që ai të mbledhë urgjentisht këshillin konsultativ të biznesit. Ky është organi ku ne diskutojmë problemet. Unë mendoj që ky duhet të ishte hapi i parë që duhet të bënte edhe ministria e ekonomisë dhe ajo financës” - tha zoti Rrapaj. Çështja e borxheve doganore ka zënë një vend kryesor në debatet e fushës ekonomike ditët e fundit, veçanërisht pas bllokimit në Portin e Durrësit të disa anijeve me mall të firmave me borxhe.

XS
SM
MD
LG