Lidhje

Rexhep Qosja: Shqiptarët janë gati të japin provimin e demokracisë


Ndërsa shqiptarët në Kosovë janë në pritje të raportit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara Kai Aide për vlerësimin e standarteve, duket se tani që Kosova po i afrohet procesit të përcaktimit të statusit të saj, problemet nuk janë të pakta. Partitë e ndryshme shqiptare, sa ç'janë të bashkuara në synimin e tyre final, në atë të pavarësisë, po aq janë të ndara në disa aspekte të tjera të procesit.

Zëri i Amerikës: Profesor, takimi që Kryetari i parlamentit kërkoi (të martën) me përfaqësues të focave politike, dështoi. Për shumë vetë nga jashtë, duket disi e çuditshme që ndërsa po afrohet procesi, që në hapin e parë, atë të formimit të delegacionit, po ndodhin pengesa. Para disa ditësh zv/administratori Larry Rossin tha se "kredibiliteti i delegacionit do të varet nga shkalla e përgatitjes së tij". Sa vonë është Kosova me përgatitjet për bisedimet ?

Rexhep Qosja: Edhe vetë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë ditët e fundit se nuk janë plotësisht të përgatitur për bisedimet, nuk i kanë bërë përgatitjet e duhura. Më në fund kjo po shihet edhe në përpjekjet e tyre jo shumë të suksesshme që të përbëjnë delegacionin për bisedime dhe grupet që do ta shoqërojnë këtë delegacion.

Zëri i Amerikës: Profesor, çfarë po i pengon partitë politike në Kosovë që të ecin më shpejt, në këto momente kur kjo thirrje po bëhet nga të gjithë të tjerët?

Rexhep Qosja: Janë disa mosmarrëveshje mes tyre, mosmarrëveshje në lidhje me përbërjen e delegacionit, në lidhje me këshillin konsultativ dhe mosmarrëveshje që partitë politike kanë edhe për çështje të ndryshme. Më në fund janë edhe mosmarrëveshje që burojnë nga i ashtuquajturi konflikt i interesave.

Zëri i Amerikës: Sa të thella janë mosmarrëveshjet mes partive politike zoti Qosja?

Rexhep Qosja: Mosmarrëveshje rreth statusit përfundimtar të Kosovës, nuk mund të ketë natyrisht. Të gjitha partitë politike shqiptare në programet e tyre e kanë të theksuar pavarësinë e Kosovës. Mund të ketë mosmarrëveshje rreth procedurave të ndryshme dhe rreth ambicjeve të partive për pjesëmarrje në delegacionin për bisedime. Mosmarrëveshje ka edhe rreth çështjeve të tjera, që janë çështje të interesave të tyre, mosmarrëveshje që burojnë nga konflikti i interesave. Megjithatë këto janë më shumë mosmarrëveshje të sipërfaqshme sesa në esencë. Më në fund ato duken se kanë mosmarrëveshje rreth disa problemeve, por në esencë, ato kanë marrëveshje në heshtje për një varg problemesh, siç janë problemi i krimit të organizuar, ai i korrupsionit, nepotizmit, kontrabandës, e probleme të tjera të veprimeve të ashtuquajtura të jashtëligjshme. Pra këtu ato flasin për mosmarrëveshje, por në esencë, nuk kanë mosmarrëveshje.

Zëri i Amerikës: Profesor, gjithë këto probleme që shtruat ju, gjithë këto vështirësi, sa mund ta dëmtojnë seriozitetin e delegacionit të Kosovës që pritet të fillojë bisedimet?

Rexhep Qosja: Mund ta dobësojnë. Mund të mendojmë se është e drejtë e qeverisë që ka dalë nga zgjedhjet e përgjithshme që të formojë delegacionin. Më në fund qeveria është institucioni kryesor i Kosovës që merr vendimet, që zbaton ligjet, që i përgjigjet kuvendit dhe është e drejtë e saj më në fund ta formojë delegacionin dhe të marrë mbi vete përgjegjësinë. Megjithatë interesat e tanishme dhe interesat historike të Kosovës kërkojnë që të formohet një delegacion sa më komplet, një delegacion prej njerëzish të aftë, të përgatitur, me dituri dhe kulturë politike dhe që i njohin problemet në përgjithësi dhe që janë të gatshëm, të barabartë në përgatitjet e tyre për të hyrë në bisedime me këdo qoftë. Kjo do të thotë se është në interesin e tanishëm dhe historik të Kosovës, që të bëhet një delegacion sa më i përgatitur dhe një delegacion i tillë mund të përbëhet prej partive të ndryshme politike, pavarësisht janë apo jo në parlament, prej përfaqësueve të shoqatave civile dhe prej individëve të ndryshëm dhe të institucioneve të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Profesor Qosja, një nga elementët kryesorë në bazë të të cilit vlerësohet Kosova sot, është ai i qëndrimit ndaj pakicës serbe. Dy popujt kanë një histori të gjatë armiqësish me njeri-tjetrin. Por sot kur Kosova ndodhet më pranë se kurrë në histori për realizimin e aspiratave të saj, a është shoqëria e përgatitur për t'i pranuar serbët pa paragjykime si bashkë-qytetarë.

Rexhep Qosja: Qëndrimi i shqiptarëve ndaj pakicave kombëtare e atyre serbe nuk është ashtu siç e paraqesin disa media apo disa individë në botë. Mosdurimi dhe urrejtja e treguar menjëherë pas luftës, natyrisht si pasojë e krimeve që kishin bërë forcat policore ushtarake e paraushtarake serbe në Kosovë, në një masë të madhe janë tejkaluar. Në institucionet politike dhe kulturore të Kosovës, në spitale, lokale e kudo sot shihen bashkë serbët e shqiptarët. Numri më i madh i shqiptarëve e ka kuptuar se provimin e demokracisë, të kulturës demokratike, të shtetit juridik, shqiptarët e japin vetëm me qëndrimin e tyre demokratik ndaj pakicave e prandaj edhe ndaj serbëve. Dhe këtë provim tani shqiptarët duan ta japin dhe po e japin. Ju mund të thoni se megjithatë për pesë vjet janë kthyer pak serbë në Kosovë. Vërtetë kështu është, megjithatë zyrtarët shqiptarë po bëjnë çdo përpjekje që të kthehen serbët në Kosovë sa më shumë. Por kthimi apo moskthimi i tyre nuk varet prej shqiptarëve, por në radhë të parë prej vetë serbëve. Një numër i madh nuk mund të kthehen për shkak të rolit të vetë në luftën në Kosovë. Kurse një numër tjetër, ndoshta një numër më i madh i serbëve, nuk kthehet për shkak se ende nuk është në gjendje të pajtohet me realitetin e sotëm kosovar e sidomos me ardhmërinë e pashmangshme të Kosovës së lirë e të pavarur.

Zëri i Amerikës: Profesor Qosja, në Kosovë sot duket se mbizotëron mendimi i politikanëve dhe pak dëgjohet opinioni i intelektualëve apo shoqërisë civile. Përse ndodh kështu?

Rexhep Qosja: Po është e vërtetë se pak dëgjohet mendimi i intelektualëve, mbizotëron mendimi i politikanëve. Në jetën shoqërore në Kosovë është krijuar aleancë mes pushtetit dhe mediave dhe kjo aleancë në mënyrën më të palejueshme e uzurpon sovranitetin e popullit. Ne e dimë se sovraniteti i takon popullit, por kjo aleancë e ka uzurpuar dhe po e shpërdoron këtë sovranitet, prandaj nën presionin e këtij uzurpimi, nuk u lejohet intelektualëve të paraqiten në media dhe nuk u lejohet më në fund pjesëmarrja në jetën publike lirisht dhe në mënyrë krijuese, siç duhej t'u lejohej.

XS
SM
MD
LG