Lidhje

Ish-drejtori i Agjencisë Federale për Emergjencat dëshmon para Kongresit


Ish-drejtori i Agjencisë Federale për Emergjencat, Michael Brown mbrojti me forcë rolin e tij si personi i ngarkuar me bashkërendimin e masave federale gjatë përgjigjes fillestare ndaj dëmeve të uraganit Katrina.

Zoti Brown e pranoi sot para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se kishte bërë disa gabime, por fajësoi kryesisht për përgjigjen e kritikuar ashpër autoritetet e shtetit të Luizianës dhe ato lokale. Ai tha se nuk kishte mundur ta bindte guvernatoren e këtij shteti Kathleen Blanco dhe Kryetarin e Bashkisë së New Orleansit, Ray Nagin që të bashkëpunonin dhe tha se shteti nuk kishte funksionuar.

Rreth 1 mijë vetë humbën jetën si pasojë e uraganit Katrina në pesë shtete në brigjet amerikane të Gjirit të Meksikës. Zoti Brown dha dorëheqjen, në klimën e një stuhie politike.

Demokratët në përgjithësi po e bojkotojnë hetimin për katastrofën nga Kongresi që mbizotërohet nga republikanët, duke bërë thirrje për një komision të pavarur hetimor.

Presidenti Bush po bën sot vizita në Teksas dhe Luiziana për të vlerësuar dëmet që shkaktoi uragani Rita, një stuhi tjetër e fuqishme që goditi rajonin të shtunën, duke sjellë përmbytje dhe dëme në zonat rurale.

XS
SM
MD
LG