Lidhje

SHBA: Si ndikojnë uraganet tek segmementet më të varfëra të popullsisë?


Ndërkohë që banorët përgjatë brigjeve amerikane të Gjirit të Meksikës vazhdojnë të luftojnë me pasojat e uraganeve Rita dhe Katrina, ka filluar një debat kombëtar mbi gjendjen e vështirë të të varfërve për shkak të këtyre stuhive.

Pas uraganit Katrina amerikanët panë pamjet e dhimbshme televizive të mijëra njerëzve nga New Orleans, shumica të varfër afrikano-amerikanë që po përpiqeshin me mish e shpirt për t’u evakuar dhe për të mbijetuar në qytetin e tyre të përmbytur. Imazhet nga New Orleans, qytet me përqindje të lartë të varfërish e të moshuarish u dhanë shkas debateve në shkallë kombëtare mbi gjendjen e vështirë të të varfërve në qytetet amerikane dhe çfarë mund të bëhet.

Barbara Bergmann është eksperte në çështjet e ekonomisë dhe varfërisë në Universitetin Amerikan këtu në Washington. “Pamë shumë fatkeqë që nuk kishin asnjë mundësi të largoheshin nga qyteti, të cilët u braktisën në masë të madhe, sepse njerëzit nuk kishin menduar se si mund të dilnin nga qyteti,” thotë pedagogia.

Administratat federale, shtetërore dhe vendore janë kritikuar gjerësisht se nuk kanë bërë sa duhet për të ndihmuar zezakët e varfër të evakuohen nga New Orleans. Shqetësim të veçantë kanë shprehur disa udhëheqës afrikano-amerikanë. Veprimtarë kundër varfërisë thonë se pamjet e pasojave të Katrinës ndihmuan që gjendja e vështirë e të varfërve të dilte në pah, gjë që, sipas tyre, është anashkaluar gjatë viteve të fundit nga politikanët dhe mjetet e informimit.

Sipas një raporti të ditëve të fundit të zyrës qeveritare të statistikave, varfëria ka vazhduar të rritet vitin e kaluar dhe gati 13 për qind e amerikanëve janë nën nivelin zyrtar të varfërisë. Para dy vjetësh, qeveria e përcaktoi këtë nivel në rreth 9 mijë dollarë në vit për person dhe rreth 19 mijë për një familje katër vetësh. Toni-Michelle Travis është eksperte në çështjet e varfërisë dhe racës në Universitetin George Mason në Virxhinia. “Kjo është ajo Amerika tjetër që ne nuk e shohim aq shpesh. Këta janë të varfërit e qyteteve. Ata ndodhen në gjendje të vështirë. Ata po përpiqen me forcë për të fituar jetesën, të mbajnë familjen dhe të kenë një shtëpi e kjo është tepër e vështirë. Mendoj se rreth 36 milionë amerikanë ndodhen nën nivelin e varfërisë,” thotë ekspertja.

Presidenti Bush iu referua kësaj çështjeje në një fjalim të ditëve të fundit drejtuar vendit nga New Orleans. “Ashtu siç pamë të gjithë në televizion, ekziston gjithashtu varfëri e përhershme dhe e thellë. Kjo varfëri i ka rrënjët në historinë e diskriminimit racial, që pengon brezat të përfitojnë nga mundësitë që ofron Amerika. E kemi për detyrë ta luftojmë këtë varfëri me masa konkrete. Pra, le të rikthejmë atë që kemi ushqyer nga e kaluara dhe të ngrihemi mbi trashëgiminë e pabarazisë,” tha presidenti.

Profesorja Barbara Bergmann thotë se është e rëndësishme që presidenti dhe kongresi që të angazhohen në debatin mbi varfërinë. “Mund të inkurajohemi nga fakti që Presidenti Bush, në fjalimin e tij drejtuar vendit nga New Orleans-i, foli mbi varfërinë dhe trashëgiminë raciste. Megjithatë, çështja është se sa do të zgjasë vëmendja dhe dhembshuria ndaj kësaj çështjeje”.

Dmokratët e opozitës po e ftojnë Presidentin Bush dhe përkrahësit e tij republikanë në Kongres të mbështesin interesimin e tij me angazhim të vendosur financimi. Republikanët pohojnë që fatkeqësia e shkaktuar Katrina nxori në skenë probleme të vjetra të të varfërve në qytetet amerikane, por ata preferojnë një rol më të madh të sektorit privat në përpjekjet afatgjata për rimëkëmbje. Ata po u bëjnë thirrje demokratëve që të mos e shfrytëzojnë këtë çështje për përfitime politike.

Disa ekspertë shtrojnë pyetjen se sa do të zgjasë debati mbi varfërinë duke patur parasysh faktin e njohur që vëmendja publike e amerikanëve nuk zgjat shumë. Por Profesorja Toni-Michelle Travis parashikon se mund të zjgasë më tepër nga sa mendojnë disa. “Mendoj se vëmendja fillestare e publikut do të bëhet shkëndijë për një varg zhvillimesh shkak-pasojë. Ndërkohë që banorët shkojnë në komunitet të tjera dhe përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre, komunitetet do të thonë se kjo është barrë mbi shërbimet për ta, veçanërisht në qytetet e Teksasit ku janë strehuar shumë refugjatë. Atëherë ne do të diskutojmë përsëri ç’ka mund të bëjnë shërbimet për njerëzit në fund të shkallës ekonomike, ashtu dhe për çdo të zhvendosur për shkak të uraganit,” thotë profesorja Travis.

Debati mbi varfërinë ka të ngjarë të bëhet temë e diskutimeve në kongres, i cili ka për të detyrë të financojë përpjekjet federale të ndihmave në zonat e goditura nga uraganet.

XS
SM
MD
LG