Lidhje

Dy shkencëtarë australianë fitues të Çmimit Nobel në mjekësi


Dy shkencëtarë australianë fituan këtë vit Çmimin Nobel në mjekësi, për punën e tyre në diagnostikimin e shkakut të ulçerës. Shkencëtarët Barry Marshall dhe Robin Warren u nderuan për zbulimin në vitin 1982, të një bakterieje të panjohur më parë, e cila shkakton gastritin dhe ulçerën e stomakut. Mjekët besonin më parë se ulçera shkaktohej nga stresi dhe dieta e dobët, gjë që bëri që zbulimi i shkencëtarëve australianë të pritej me skepticizëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Roger Wilkinson, zyrtarët e Komisionit të Çmimeve Nobel thonë se puna e shkencëtarëve Marshall dhe Warren çoi në identifikimin e mjekimeve të thjeshta për këtë sëmundje.

Barry Marshall dhe Robin Warren po shkonin për të ngrënë darkë së bashku në qytetin Perth në Australinë perëndimore, kur morën lajmin se kishin fituar Çmimin Nobel.

Të dy shkencëtarët nuk kanë ndonjë projekt të përbashkët aktualisht, por në vitin 1982 ata bënë një zbulim që Komisioni i Çmimeve Nobel e cilësoi “si me vlerë dhe të papritur” se gastriti dhe ulçera peptike janë rezultat i një infeksioni bakterial, që në atë kohë nuk njihej ende. Dy shkencëtarët nuk e patën të lehtë të bindnin komunitetin mjekësor për vërtetësinë e zbulimit të tyre.

Dr. Marshall thotë se u desh thuajse një dekadë para se zbulimi i tyre të përqafohej nga mjekësia:

"Fillimisht askush nuk na besonte dhe të gjithë mendonin se e dinin se ulçera shkaktohej nga stresi. Prandaj na u përgjigjëm: E dimë se çfarë e shkakton ulçerën dhe nuk kemi nevojë të dimë shkaqe të reja."-tha ai.

Me një akt që juria e Çmimeve Nobel e përshkroi si të jashtëzakoshëm si nga përkushtimi ashtu edhe nga thellësia e kërkimeve shkencore, Dr. Marshall infektoi veten në vitin 1985 me bakterien që kishte zbuluar ai dhe kolegu i tij, në mënyrë që të provonte se ky patogjen shkakton gastritin akut.

Mjekët Marshall dhe Warren do të ndajnë së bashku një çek prej 1 presje 3 milion dollarësh.

Çmimi Nobel në mjekësi është i pari Çmim Nobel që bëhet publik në paketën e çmimeve për vitin 2005. Brenda javëve të ardhshme në Suedi do të njoftohen edhe fituesit e Çmimeve Nobel në fizikë, kimi, ekonomi dhe letërsi. Çmimi Nobel i Paqes jepet në Norvegji dhe do të njoftohet të premten.

XS
SM
MD
LG