Lidhje

Llotaria amerikane e vizave për emigracion në SHBA filllon më 5 tetor


Duke filluar nga 5 tetori, ata që duan të imigrojnë në Shtetet e Bashkuara mund të provojnë fatin e tyre përmes Llotarisë së Vizave, një program që u krijon mundësi disa mijëra njerëzve nga mbarë bota të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i shtetit njoftoi se regjistrimi për llotarinë vjetore të vizave, apo siç njihet ndryshe do të mbahet nga 5 tetori deri më 4 dhjetor. Programi është hartuar për të sjellë një llojshmëri më të madh racore dhe etnike në Shtetet e Bashkuara. Maura Harty, Ndihmëssekretarja për Marrëdhëniet Konsullore në Departamentin e Shtetit është ajo që drejton programin.

“Tradicionalisht, imigracioni ndodh përmes një lidhje familjare apo përmes një mundësie punësimi. Llotaria amerikane shton mundësitë dhe u jep njerëzve nga mbarë bota shansin për të emigruar pa këto kushte.”- tha zyrtarja Harty.

Përmes llotarisë Shtetet e Bashkuara u japin çdo vit 55 mijë viza njerëzve nga vende me nivel të ulët imigrimi në Shtetet e Bashkuara, si Etiopia, Egjypti dhe Marroku. Në se fiton, emigranti mund të jetojë dhe punojë përgjithnjë në Shtetet e Bashkuara. E gjithë ajo që i kërkohet aplikantit është të ketë shkollë të mesme ose dy vjet eksperiencë pune.

Gabriela Kliewer është nga Ekuadori. Ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2002 përmes Llotarisë së Vizave.

"Aplikova për llotari pasi 1999 ishte kohë e vështirë në Ekuador. Përndryshe nuk do doja të vija. Isha 24 vjeç dhe kisha një jetë të mirë në Ekuador. Kisha punë të mirë dhe nuk kisha pse të largohesha. Por nëna më bindi të hidhja llotarinë për mundësitë dhe gjërat e reja që do të provoja këtu, kështu që erdha."- thote ajo.

John Keeley nga Qëndra për Studimet e Imigracionit thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të dekurajojnë këtë lloj përqasjeje.

"Mendoj se programi shvlerëson nocionin e imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Ky program nuk ka asnjë kërkesë. Imigrantëve nuk u kërkohet të kenë aftësi të caktuara, edukim apo talent për të ardhur në Shtetet e Bashkuara."- thotë zyrtari.

Zoti Keeley thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më të kujdesshme për ata që lejohen të vijnë përmes llotarisë.

"Në këtë kohë kur ka shqetësime rreth kufijëve tanë të hapur, kur jemi të angazhuar në luftën kundër terrorit, ideja për t’i lejuar burokratët e imigracionit këtu në Washington për të procesuar aplikimet e 10 milion njerëzve nga mbarë bota, është budallallëk. Në botën pas 11 shtatorit duhet të dimë kush vjen në Shtetet e Bashkuara dhe jo të hedhim llotari."- thotë ai.

"Nuk mendoj se përzgjedhja është e rastësishme. Të gjitha ata që kanë fituar llotarinë dhe i kam takuar, kanë të njëjtat karakteristika, beqarë, profesionist, të rinj. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të sjellin punëtorë të kualifikuar, profesionistë që nuk vijnë këtu për të jetuar në kurrizin e qeverisë."- thotë Gabriela Kliewer që është martuar me një amerikan dhe punon për personelin në Këshillin Kombëtare La Raza në Washington.

Meqë programi nuk përfshin një sistem për të ndjekur se ku shkojnë njerëzit pasi marrin vizat, nuk ka asnjë mënyrë për të treguar si ju ecën jeta fituesve në Shtetet e Bashkuara. Megjithë shqetësimet e sigurimit, zyrtarët thonë se programi do të vazhdojë, pasi është reklamim i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe tërheq njerëzit që vendi i mirëpret.

XS
SM
MD
LG