Lidhje

Ekspertët: Konfirmimi i kanditaturës së zonjës Majërs, nje betejë jo e ashpër


Harriet Miers është 60 vjeç dhe ka patur një karrierë për t’u shënuar si juriste në Teksas para se të punonte me Presidentin Bush, kur ai ishte guvernator i Teksasit në mes të viteve 90.

Zonja Miers është emëruar si kandidatja për të zëvendësuar gjykatësen Sandra Day O’Connor, që ishte e para anëtare grua e Gjykatës së Lartë. Gjykatësja O’Connor për një kohë të gjatë ka mbajtur një qëndrim të moderuar dhe ka hedhur në shumë raste votën vendimtare në gjykatën e lartë. Demokratët e opozitës kanë thënë se do të kundërshtojnë çdo përpjekje të presidentit për ta zëvendësuar atë me ndonjë ideolog konservator.

Kolegët e zonjës Miers thonë se ajo është shumë besnike ndaj presidentit, punon shumë, por nuk para pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. E gjithë kjo do të ndryshojë kur të mbahen seancat për konfirmimin e kandidaturës së saj para Komisionit Juridik të Senatit, një provë për të cilën ajo thotë se është e gatshme ta përballojë.

“Nëse kandidatura ime miratohet, unë e kuptoj që do të kem një përgjegjësi shumë të madhe për të ruajtur integritetin e sistemit tonë të drejtësisë dhe të jap kontributin tim që gjykatat të plotësojnë detyrimet, në përputhje me ligjet dhe kushtetutën”.- tha Majërs.

Demokratët u shprehën përgjithësisht në mënyrë pozitive, por të matur lidhur me kandidaturën e saj. Senatori demokrat nga New Yorku Charles Schumer është anëtar i Komisionit Juridik të Senatit. Ai thotë se populli amerikan nuk di aq shumë për Harriet Miersin, sa ç’dinte për John Robertsin, kreu i gjykatës së lartë që u konfirmua së fundmi nga senati.

Senatori Schumer thotë se demokratët do t’i bëjnë pyetje të hollësishme zonjës Miers gjatë seancave. Por ai thotë gjithashtu se presidenti bëri mirë që nuk emëroi një konservator ekstremist në gjykatën e lartë.

“Mendoj se në mandatin e tij të dytë, presidenti po e kupton se pikëpamjet e krahut më ekstrem të partisë së tij nuk përfaqësojnë ato të popullit amerikan, ashtu si edhe pikëpamjet e krahut të majtë të Partisë Demokrate nuk përfaqësojnë ato të popullit amerikan”.- tha Senatori.

Senatorët republikanë parashikojnë që zonjës Miers t’i bëhen pyetje të ashpra. Por ata duan gjithashtu që seancat të kenë po atë frymë respekti që patën ato për zotin Roberts. Disa demokratë kanë ngritur pyetje duke vënë në dukje se zonja Miers nuk ka përvojë si gjykatëse. Në fakt, në të kaluarën, disa persona janë zgjedhur në Gjykatën e Lartë pa ndonjë përvojë si gjykatës. Udhëheqësi i demokratëve në senat, Harry Reid thotë se atij i pëlqen fakti që zonja Miers ka përvojë si juriste, por jo si gjykatëse.

Grupet liberale po i nxisin senatorët demokratë që të tregohen këmbëngulës në pyetjet e tyre për zonjën Miers gjatë seancave të konfirmimit. Qëndrimet e organizatave juridike konservatore kanë qenë të ndryshme. Disa prej tyre e kanë vlerësuar kandidaturën e saj, ndërsa të tjerë kanë shtruar pyetjen se a është ajo aq sa duhet konservatore , veçanërisht për çështjen e abortit.

Ja ç’thotë John Fortier, ekspert politik në Institutin konservator American Enterprise në Washington.

“Mendoj se në krahasim me emrat e tjerë që mund të paraqiste Presidenti Bush, kandidatura e saj nuk është edhe aq e debatueshme. Kështuqë në fund të fundit nuk do të jetë ndonjë betejë e ashpër, apo ndonjë përplasje që të mbahet mend në histori si një nga emërimet më të debatuara”.- thotë eksperti.

Udhëheqësit republikanë të senatit shpresojnë që senati të votojë për kandidaturën e zonjës Miers, para fundit të nëntorit.

XS
SM
MD
LG