Lidhje

BE rifillon bisedimet për antarësim me Turqinë dhe Kroacinë


Bashkimi Evropian filloi bisedimet me Ankaranë për antarësimin e Turqisë, megjithë skepticizmin e thellë publik në Evropë se organizata nuk do të jetë në gjendje të inkuadrojë me sukses këtë vend me popullsi të madhe, kryesisht myslimane. Bashkimi Evropian ka rifilluar gjithashtu bisedimet për antarësim me Kroacinë.

Turqia ka kërkuar të antarësohet në Bashkimin Evropian për më shumë se 40 vjet. Dhjetorin e kaluar blloku me 25 anëtarë ra dakort të fillonte bisedimet për antarësim me Ankaranë. Por takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit në Luksenburg u përqëndrua për 30 orë në këmbënguljen e Austrisë së Turqisë t’i ofrohej një opsion më i kufizuar se antarësimi i plotë, një propozim që ishte i papranueshëm për Ankaranë.

Pasi pranoi ofertën përfundimtare të Bashkimit Evropian, Ministri i Jashtëm turk Abdullah Gul shkoi në Luksenburg për një ceremoni të shkurtër që shënon sesionin e parë zyrtar të negociatave. Ai e cilësoi këtë një moment historik dhe tha se Turqia po futet në një epokë të re:

"Turqisë i është ofruar perspektiva e antarësimit të plotë dhe nuk ka alternativa të tjera. Kur të vijë koha, Turqia do të bëhet anëtare. Do të kapërcejmë pengesat dhe suksesi do t’i justifikojë përpjekjet tona."-tha Ministri i Jashtëm turk.

Më shumë se gjysma e qytetarëve të Bashkimit Evropian e kundërshtojnë antarësimin e Turqisë në Bashkim, pasi është një vend shumë i madh, shumë i varfër dhe mysliman. Por Britania, e cila ka presidencën e radhës të organizatës beson se inkuadrimi i Turqisë në perëndim do ta shndërrojë atë në një shembull të demokracisë për fqinjët e saj në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Jashtëm britanik Jack Straw në një konferencë shtypi iu kundërvu skepticizmit publik për përfshirjen e një vendi kryesisht mysliman në një Evropë kryesisht të krishterë:

"Sot po tregojmë se nuk është fjala tek besimi fetar apo tek dallimet fetare, por tek vlerat. Eshtë fjala për lidhjen që ekziston mes nesh si rrjedhojë e vlerave të qytetërimeve tona." - thazoti Straw.

Shtetet e Bashkuara nuk janë të angazhuara drejtpërdrejt në negociatat ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë.

Ndërkaq, ministrat e jashtëm të Bashkimit u informuan nga prokurorja e përgjithshme e Gjykatës së Hagës Karla del Ponte se Kroacia, e cila kërkon antarësim në organizatë, ka bashkëpunuar me gjykatën e Kombeve të Bashkuara:

"Vlerësimi im është shumë pozitiv. Mund të vërtetoj se Kroacia po bashkëpunon plotësisht me ne."- tha zonja del Ponte.

Bisedimet për antarësimin e Kroacisë fillimisht ishte planifikuar të fillonin në mars të këtij viti, por u pezulluan kur kryeprokurorja Del Ponte akuzoi qeverinë kroate se nuk po bënte sa duhej për të kapur të akuzuarin për krime lufte Ante Gotovina. Komentet pozitive të zonjës Del Ponte dje janë parë nga disa si lëkundje para presionit për të pëmbushur kërkesën e Austrisë për fillimin e negociatave me Zagrebin, në mënyrë që Austria më pas t’i hapte rrugë antarësimit të Turqisë, gjë që zonja Del Ponte e ka hedhur poshtë.

Sekretari i Jashtëm britanik Jack Straw dhe ministrat e tjerë autorizuan menjëherë fillimin e negociatave të antarësimit me Kroacinë.

Diplomatët e Bashkimit Evropian thonë se bisedimet me Kroacinë mund të ngadalësohen ose të pezullohen nëse gjykohet se ky vend nuk po përmbush angazhimin e tij për të kapur dhe dorëzuar gjeneralin Gotovina. Por në dallim nga Turqia, rruga e Kroacisë drejt antarësimit në Bashkim nuk do të jenë aq e gjatë sa rruga e Turqisë, pasi pritet që ajo të pranohet në organizatë brenda vitit 2009.

XS
SM
MD
LG