Lidhje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së studion raportin për Kosovën

  • Ilir Ikonomi

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan la të kuptohet se ka shumë mundësi që të rekomandojë fillimin e bisedimeve rreth së ardhmes së Kosovës.

Zoti Annan u tha gazetarëve se do të vendosë së shpejti nëse do të rekomandojë, ose jo fillimin e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës, por la të kuptohet se gjasat janë që bisedimet të fillojnë.

I dërguari i posaçëm i OKB-së, diplomati norvegjez Kai Eide, i dorëzoi mbrëmë Sekretarit të Përgjithshëm raportin e tij mbi gjendjen në Kosovë. Në deklaratat publike që ka bërë më parë zoti Eide ka kritikuar mungesën e përparimit në zbatimin e 8 standardeve që komuniteti ndërkombëtar ka vënë për Kosovën. Por njëkohësisht ai ka shprehur mendimin se dobësitë nuk mund të zgjidhen pa u zgjidhur statusi.

Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim se vazhdimi i statusit të paqartë politik të Kosovës mund të sjellë pasoja të paparashikuara. Ata kanë deklaruar se kjo paqartësi e statusit le hapur mundësinë e rifillimit të dhunës dhe ky në thelb është një presion që bisedimet të fillojnë sa më shpejt. Presioni shtohet nga fakti se Kombet e Bashkuara shpenzojnë në Kosovë më shumë se 1 miliard dollarë në vit dhe janë kritikuar për mungesë efektiviteti në administrimin e saj. Sipas disa diplomatëve, vazhdimi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë në një farë mase po e vonon zhvillimin e institucioneve të saj. Edhe nga pikpamja ekonomike, paqartësia e statusit është pengesë sepse në gjendjen që është Kosova nuk mund të marrë kredi nga institucionet ndërkombëtare. Mirëpo buxheti nuk mund të mbahet vetëm me të ardhurat nga doganat apo nga kontributet e donatorëve.

Takimi i radhës i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është në datën 24 tetor. Këshillit të Sigurimit do t’i paraqitet raporti si dhe rekomandimet e Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Annan. Sipas njoftimeve të shtypit, pritet që lëvizjet diplomatike midis Beogradit dhe Prishtinës t’i drejtojë ish presidenti i Finlandës Maarti Ahtisaari, i cili në vitin 1999 shërbeu si ndërmjetës për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Këto lëvizje diplomatike do të shërbenin për të krijuar terrenin e përshtatshëm për fillimin e bisedimeve mbi statusin.//lk

XS
SM
MD
LG