Lidhje

Presidenti Bush vlerëson kontributin e myslimanëve në SHBA

  • Mohamed Elshinavi

Presidenti amerikan George Bush vlerësoi kontributin e amerikanëve të besimit islam, në një mesazh me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Presidenti tha se Amerika është e bekuar, pasi ka përfituar nga puna e individëve të të gjitha besimeve. Ai u përcolli përshëndetjet e tij myslimanëve të Amerikës, të cilët përbëjnë një komunitet shumë të larmishën në Shtetet e Bashkuara.

Ndoshta askund në botë komuniteti mysliman nuk ka një larmi të tillë si në Shtetet e Bashkuara, ku pjesëtarët e këtij komuniteti vijnë nga vende të ndryshme dhe u përkasin racave të ndryshme. Ky komunitet ka afrikano-amerikanë, latinë dhe të bardhë të konvertuar në fenë islame, të cilët festojnë së bashku Ramazanin. Myslimanët e Amerikës, numri i të cilëve mendohet të jetë diku nga 3 deri në 7 milion vetë, e ndjejnë edhe më shumë lidhjen mes tyre në qendrat e kultit. Ja si shprehet Dr. Abdullah Khouje, president i Qendrës Islamike në Uashington:

“Njerëz nga e gjithë bota mblidhen në një vend dhe të gjithë ndjehemi të njëjtë, pavarësisht nga rajonet e largëta gjeografike nga jemi me origjinë.”- thotë ai.

Më shumë se 2 mijë xhami dhe qendra islamike në mbarë Shtetet e Bashkuara u ofrojnë besimtarëve myslimanë në Shtetet e Bashkuara mbështetjen e nevojshme gjatë Ramazanit. Samir Salah është president i Dar Al hijra:

“Një ndër shërbimet bazë gjatë muajit të Ramazanit është t’i mbledhim njerëzit së bashku veçanërisht gjatë Iftarit. Kjo financohet nga organizatat bamirëse.”-thotë zoti Salah.

Gjatë Ramazanit myslimanët e Amerikës marrin pjesë në lutjet e përnatshme, i kushtojnë kohë reflektimit shpirtëror dhe agjërojnë si dhe ushtrojnë akte të tjera vetë-kontrolli për të treguar përkushtimin e tyre ndaj Zotit. Vitet e fundit atyre u është shtuar edhe një detyrë tjetër. Robert Marro është një ish-diplomat amerikan, i cili është konvertuar në mysliman:

“Duhet të shkosh të takohesh me fqinjët, t’u shpjegosh për fenë islame, të mësosh se çfarë mendojnë ata për këtë fe, në mënyrë që të kapërcehen paragjykimet.”- thotë zoti Marro.

Xhamitë dhe qendrat islame hapin dyert për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga besimi fetar, gjatë muajit të Ramazanit. Dr. Shaker El Sayed është Imami i Dar Al Hijras:

“Ne kemi Iftar në xhami edhe për fqinjët tanë të besimeve të tjera, dhe vihemi në kontakt me organizata jo-myslimane, qoftë kisha, sinagoga dhe organizata të tjera të shoqërisë civile për t’u shpjeguar se çfarë përfaqëson Ramazani.”- thotë Imami.

Ky muaj i shenjtë është një mundësi e re për myslimanët që të pastrojnë shpirtin, të tregojnë zemërgjerësi duke dhuruar për organizatat bamirëse dhe t’i kujtojnë botës kuptimin e vërtetë të islamit si një besim paqeje dhe tolerance.// lk

XS
SM
MD
LG