Lidhje

Shqipëri: Qeveria dhe Prokuroria e Përgjithshme shkëmbejnë replika të ashpra


Përplasje e ashpër mes qeverisë dhe prokurorisë së Përgjithshme për luftën kundër krimit të organizuar. Duke e konsideruar si objektivin kryesor të ekzekutivit të djathtë, këtë luftë, kryeministri Sali Berisha fajësoi sot institucionet e ngarkuara për t’u përballur me këtë fenomen. Sipas tij, skema me të cilën kanë funksionuar Ministria e Rendit, Shërbimet sekrete dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë vënë Shqipërinë në atinë e Evropës përsa I përket krimit të organizuar. Sipas tij këto institucione nuk bëjnë gjë tjetër vecse ia hedhin njëra tjetrës si top futbolli përgjegjësinë.

Akuzat më të ashpra kryeministri i drejtoi ndaj prokurorisë: “Vetëm në Shqipëri dëgjohet prokuroria e cila në kushtetutë detyrën e parë ka ndjekjen penale. Në kushtetutë të dytën ka akuzën. Kurse prokuroria do të lajë duart me ndjekjen penale, t’ia shmangë segmentit, t’ia jape policisë gjyqësore dhe dëgjohet rëndom ne jemi akuza nuk jemi ndjekja. Kjo formë funksionimi nuk mund të pranohet më. Zotëri kushtetuta të ka vënë ty detyrë të parë ndjekjen penale. Se çfarë bën ti dhe si devijon ti është punë tjetër.”

I menjëhershëm reagimi i prokurorisë së Përgjithshme. Deklarimi i Kryeministrit është cilësuar si një sulm emocional që sipas prokurorisë nuk i shërben luftës kundër krimit. Në komunikatën e prokurorisë thuhet se të shkarkosh policinë gjyqësore nga përgjegjësia e hetimit do të thotëtë mos njohësh ligjin dhe t’u shmangesh detyrimeve që çdo ekzekutiv ka në luftën kundër krimit. Për të mos e acaruara më tej situatën dhe për të mos I dhënë asaj ngjyrat e sulmeve personale prokuroria shprehet se deklaratat e kryeministrit mund të jenë fryt i keqinformimit të tij nga ana e këshilltarëve. Në komunikatë thuhet se “Bashkëpunimi dhe jo konfliktualiteti institucional është rruga më e mirë për kryerjen e reformave të domosdoshme për të rritur efikasitetin e luftës kundër krimit”.

Kryeministri nga ana tjetër i ka vënë kapak të gjitha diskutimeve që kanë shoqëruara projektin për kalimin e Shërbimit Informativ në varësi të Ministrisë së Brendshme. Reformën në këtë institucion ai e ka cilësuar të domosdoshme dhe ka deklaruar se zbulimi, apo shërbimi i jashtëm informative do të jetë më vete dhe mund të mbetet në varësinë direkte të tij.

Po ashtu, kryeministri duke folur përpara deputetëtve të partisë së tij, në një moment kur nga disa institucione financiare po vihen pikëpyetje mbi reformat fiskale të ndërmarra dhe ato të parashikuara, kryesisht per uljen e taksave, është shprehur kategorik se qeveria do t’i përmbahet premtimeve të dhëna pasi ajo do të dëshmojë se di të mbledhë të ardhurat për arkën e shtetit.// lk

XS
SM
MD
LG