Lidhje

Parlamenti shqiptar diskuton krizën energjitike


Parlamenti shqiptar diskutoi sot me shqetësim për situatën e vështirë energjitike që po kalon vendi këto ditë të para të tetorit, kur shirat e rrëmbyer nuk kanë dhënë asnjë përmirësim të rezervave ujore në hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Drin.

Gjatë një seance të hapur për çdo diskutim, shumë nga deputetët shprehën pakënaqësinë e tyre për reduktimet e ndjeshme që po bëhen në furnizimin me energji të zonave të tyre zgjedhore, të cilat në disa qytete e fshatra shkojnë deri në 14 orë në ditë. Ata kërkuan zgjidhje të shpejtë të situatës, ndërkohë që dimri është në prag, dhe vendi rrezikon përsëri të zhytet në një krizë të re energjitike, e ngjashme me atë të 2-3 vjetëve më parë.

Disa deputetë që janë edhe specialistë të inxhinierisë dhe energjitikës, pohuan se kjo gjendje nuk mund të kalohet me importime të pjesshme nga vendet fqinje, por nevojitet një menaxhim më i mirë i punës në Korporatën Elektro - Energjitike, si edhe i rezervave në hidrocentrale.

Qeveria vendosi të blejë me urgjencë energji elektrike nga Bullgaria e Rumania, ndërkohë që disa tendera për blerje energjie kanë dështuar muajt e fundit, dhe kur rezervat ujore në hidrocenralet të mëdhenj në veri mbi lumin Drin sa vjen e keqësohen, duke shkuar drejt minimumit.

Deputetët e opozitës kritikuan vendimin e qeverisë për të blerë energji pa tender ndërkombëtar, duke theksuar nga ana tjetër se, që nga qershori kur gjendja ishte e mirë, ka patur një keqmenaxhim të burimeve energjitike, dhe liqenet e hidrocentraleve janë zbrazur ndjeshëm.

Në fakt, megjithë ndonjë përmirësim të përkohshëm, sistemi energjitik i vendit vuan prej afro një dekade nga keqmenazhimi i burimeve ujore në hidrocentrale, nga humbjet e mëdha të energjisë në rrjet si dhe nga mospagimi i faturave të prapambetura të energjisë së konsumuar nga popullata.

XS
SM
MD
LG